Aviacioni civil, marrëveshje mirëkuptimi, Shqipëri-Kosovë-Maqedoni
Nënshkruhet Memorandumi i Bashkëpunimit për Aviacionin Civil mes Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë. Drejtorët e Autoritetit të Aviacionit Civil të Republikës së Shqipërisë, të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Maqedonisë nënshkruan Memorandumin e Bashkëpunimit tripalësh. Memorandumi është pjesë e projektit të gjerë në kuadrin e bashkëpunimit rajonal dhe një hap i rëndësishëm për marrëdhëniet tripalëshe në fushën e aviacionit civil. Qëllimi i këtij bashkëpunimi është që të rrisë nivelin e sigurisë në aviacionin civil, duke ndarë informacionin, eksperiencat dhe mbështetjen logjistike dhe secila prej palëve do të luajë një rol të rëndësishëm në përmbushjen e qëllimit të tyre. Firmëtarë ishin drejtori Ekzekutiv i Aviacionit Civil të Republikës së Shqipërisë, Ervin Mazniku; drejtori i Përgjithshëm i Aviacionit Civil të Kosovës, Dritan Gjonbalaj; dhe drejtori i Aviacionit Civil të Maqedonisë, Dejan Mojsoski. Ky është memorandumi i parë dhe marrëveshja e parë e këtij lloji që firmoset mes të tri palëve, duke hapur rrugën e bashkëpunimit të mëtejshëm në fushën e aviacionit civil mes Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit. Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në Ohër. Bashkëpunimit i hap udhë ofrimit të asistencës teknike përsa i përket ndarjes së ekspertizës dhe eksperiencës në fushën e sigurisë së aviacionit civil. Të tre drejtuesit theksuan po ashtu se Memorandumi i Bashkëpunimit do të vendosë një nivel të ri dhe të lartë teknik sa i përket zgjerimit të marrëdhënieve mes palëve.