Financat çojnë në 139 lekë kursin zyrtar të këmbimit
Qeveria çon në 139.2 lekë kursin zyrtar të këmbimit lek-euro nga 131 lekë që ishte vjet dhe 137 lekë që është këtë vit. Kursi i fiksuar për të paktën tre vitet në vijim shërben për të bërë përllogaritjet e treguesve të ekonomisë në monedhën europiane, pasi raportimi i shifrave të buxhetit dhe ekonomisë në tërësi bëhet në monedhën vendase, por edhe në euro. Mirëpo, duke qenë se vitet e fundit kursi zyrtar i këmbimit ishte shumë më i ulët se kursi real, të paktën me mbi 6-8 pikë, ka krijuar kështu probleme në realitetin e përllogaritjes dhe raportimeve në monedhën euro. Nga ana tjetër ekspertët të pyetur nga Banka e Shqipërisë kanë parashikuar që kursi i këmbimit të lekut me euron, të paktën në 12 muajt e fundit, të jetë në kuotën 139.3 lekëve. Pritjet e ekspertëve për pozicionin e euros, në këmbim me lekun, në tregun vendas janë në nivelin më të lartë të tyre. Ndërsa këmbimi i lekut, në këmbim me dollarin, në harkun e një viti parashikohet të jetë në nivelin 104.4 lekëve, duke shënuar kështu një ulje në krahasim me parashikimet që ishin bërë në gjashtëmujorin e parë të 2010-s. Banka e Shqipërisë në një analizë për zhvillimet në tregun e brendshëm të këmbimit valutor bën të ditur se ndryshimet vjetore të indeksit janë luhatur në mënyrë regresive në kahun nënçmues dy vitet e fundit. Banka e Shqipërisë gjykon se kursi i këmbimit ka reduktuar prirjet e tij nënçmuese. Analizat tregojnë se në tërësi faktorët fondamentalë të ekonomisë po mbështesin një ekuilibër të ri të kursit të këmbimit, i cili dhe pse është më i lartë se tre vite më parë, është në përshtatje të ekuilibrave financiarë dhe ekonomikë në vend, duke mbështetur rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare në tregjet ndërkombëtare. Sipas Bankës së Shqipërisë, ecuria e qëndrueshme e kursit të këmbimit ka shërbyer për konsolidimin e mëtejshëm të stabilitetit financiar në vend. Sakaq, një euro më e fortë ndikon në rritjen e fitimeve për eksportuesit, të cilët nga shitjet jashtë vendit sjellin fitime më të larta në ekonominë vendase.