E Shtunë, 31 Tetor 2026

KESH, nis zbatimi i projekteve për mbrojtjen e digave

Projektet për të garantuar sigurinë e digave në kaskadat e lumenjve Drin dhe Mat kanë nisur. Gati 50 milionë eurot e para

Ka nisur nga implementimi projekti prej 50 mln euro për sigurinë e digave mbi Drin. Burimet zyrtare në KESH pohuan se objektivat kryesorë të projektit në fjalë janë: rritja e sigurisë së digave të hidrocentraleve më të mëdha të Sistemit Elektroenergjetik Shqiptar në kaskadat e lumenjve Drin dhe Mat dhe të gjitha veprave hidroteknike të tyre; rritja e sigurisë dhe cilësisë së furnizimit me energji elektrike, nëpërmjet rritjes dhe përmirësimit të eficencës së prodhimit të energjisë elektrike nga burimet hidrike, duke ndikuar në këtë mënyrë edhe në rritjen e qëndrueshme të sigurisë së furnizimit me energji elektrike në tregun rajonal të energjisë. “Studimi mbi Sigurinë e Digave të hidrocentraleve të kaskadave të lumenjve Drin dhe Mat, i financuar në vitin 2006 nga qeveria zvicerane e përfaqësuar nga Sekretariati i Shtetit për Çështjet Ekonomike-SECO dhe më pas studimi i fizibilitetit, i financuar përsëri nga SECO, shërbyen si bazë për përgatitjen e Projektit për implementimin e të gjitha investimeve të parashikuara në kuadrin e projektit të sigurisë së Digave. Studimi ka bërë një analizë të thellë të gjendjes aktuale të këtyre digave në Shqipëri.”- është shprehur në kuadër të marrjes së kredisë, drejtori i Përgjithshëm i KESH-it, Engjëll Zeqo. Ai tha se investimet e identifikuara nga ky studim mund të përmblidhen në: rehabilitimin e veprave shkarkuese, instalimin e sistemeve të reja të kontrollit dhe monitorimit të digave, instalimin e sistemeve të alarmit, mbrojtjen nga rreziku i rënies së shkëmbinjve rreth shpateve të digave, përmirësimin dhe garantimin e rrugëve hyrëse në godinat e centraleve, digave dhe galerive të dranazhit, studimet batimetrike të baseneve, rishikimin e hidrologjisë së kaskadave të lumenjve Drin dhe Mat, punimet në bjefet e poshtme të këtyre hidrocentraleve me qëllim eliminimin e sedimenteve të ngurta dhe rritjen e sigurisë së veprave hidroteknike. Implementimi i tyre, sipas KESh-it, do të bëjnë të mundur rritjen e cilësisë së monitorimit të këtyre digave, duke garantuar sigurinë e tyre sipas normave ndërkombëtare të sigurisë si edhe mbrojtjen e tyre nga një numër rreziqesh natyrore, të tilla si: rënia e shkëmbinjve, shkarjet pranë vendndodhjes së themeleve, përmbytjet, tërmetet etj.; dukuri këto që kërcënojnë sigurinë e digave. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare është mbështetur nga institucione të rëndësishme ndërkombëtare në realizimin e projekteve që synojnë përmirësimin e infrastrukturës së gjenerimit të energjisë elektrike. Aktualisht, projektet kryesore në të cilat është përfshirë korporata në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare janë: Projekti i Sigurisë së digave, Projekti TEC Vlora. Projekti i Sigurisë së Digave, është një projekt i një rëndësie prioritare për Sistemin Elektroenergjetik dhe për Shqipërinë, nisur nga impakti që ky projekt ka në parandalimin e katastrofave që mund të shkaktohen nga dëmtimet e këtyre digave. Në kuadër të objektivave të programit rajonal për Komunitetin e Energjisë për Europën Juglindore - APL 5 (ECSEE APL)- është firmosur Marrëveshja Financiare ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shoqatës për Zhvillim Ndërkombëtar (IDA) si dhe Marrëveshja ndërmjet Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare – KESh sh.a dhe Shoqatës për Zhvillim Ndërkombëtar (IDA) në lidhje me Projektin e Sigurisë së Digave në hidrocentralet e kaskadave të lumenjve Drin dhe Mat. Investimet e identifikuara nga ky studim mund të përmblidhen në: rehabilitimin e veprave shkarkuese, instalimin e sistemeve të reja të kontrollit dhe monitorimit të digave, instalimin e sistemeve të alarmit, mbrojtjen nga rreziku i rënies së shkëmbinjve rreth shpateve të digave.

KESH në ndihmë të Marrëveshjes së Kankunit

Deri më 2025, Shqipëria 50% më pak dioksid karboni. Ky fakt do të ndodhë në bazë të Marrëveshjes së Cancunit, ku vendet në zhvillim si Shqipëria duhet të raportojnë se çfarë po bëjnë konkretisht për reduktimin e gazrave me efekt sere dhe kryesisht për dioksidin e karbonit, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare do të japë ndihmën e saj në këtë drejtim, duke iu referuar edhe agjencisë që ka krijuar brenda strukturës së saj për menaxhimin e mjedisit. Shqipëria, si një vend potencial për anëtarësim në BE, është angazhuar që, përmes një zhvillimi ekonomik të pastër dhe miqësor me mjedisin, të ulë emetimin e dioksidit të karbonit me 48% deri në vitin 2025. Krijimi i Fondit të Gjelbër të Klimës për financimin e projekteve të tillë është pjesë e Marrëveshjes së Cancunit (Kankunit), Meksikë, të arritur në dhjetorin e kaluar, në përfundim të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike. Ai shënon momentin e një kthese rrënjësore për një botë më të sigurt, më të begatë dhe më të qëndrueshme për të gjithë. Shqipëria përfiton nga ky Fond, pasi është palë në Konventën Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike dhe në Protokollin e Kiotos. Në bazë të Marrëveshjes së Cancunit, vendet në zhvillim, si Shqipëria, duhet të raportojnë se çfarë po bëjnë konkretisht për reduktimin e gazrave me efekt sere dhe kryesisht për dyoksidin e karbonit. Dhe në këtë kontekst Sekretariati i Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara do të bëjë vlerësimin e projekteve që kërkojnë financim ndërkombëtar nga Fondi i Gjelbër i Klimës. Sipas statistikave, në Shqipëri emetohen në atmosferë rreth 7,6 milionë tonë dioksid karboni apo 2,7 tonë për frymë të popullsisë. Ky tregues është 4-5 herë më i ulët se mesatarja në vendet e industrializuara. Kjo situatë vjen kryesisht nga prodhimi i energjisë nga hidrocentralet dhe jo termocentralet. Dhe kjo i jep mundësi Shqipërisë të blejë kuota të reduktimit të gazit karbonik nga vende të zhvilluara. Në këmbim këto vende financojnë projekte të zhvillimit të qëndrueshëm që nuk ndotin mjedisin. Shqipëria ka blerë të tilla kuota nga Danimarka dhe Italia, që po financojnë projekte për prodhimin e energjisë nga dielli, era dhe burimet hidrike.

Respekti ndaj mjedisit në fokus të KESH-it

Respekti ndaj mjedisit është një nga parametrat kryesorë në përcaktimin e strategjisë së përgjithshme dhe aktiviteteve ditore të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Strategjia mjedisore e Korporatës sonë ndërtohet në përputhje me legjislacionin europian dhe atë vendas për mjedisin. Për të mbrojtur mjedisin nga ndotjet e Hidrocentraleve dhe Termocentraleve, në strukturën institucionale të KESH-it është ngritur Njësia e Menaxhimit të Mjedisit (NJMM). Kjo njësi në bashkëpunim me njësitë dhe me ministritë përkatëse kanë përgatitur plane masash për menaxhimin e mjedisit për të gjithë strukturat e KESH-it. Të gjitha këto programe janë zhvilluar në përputhje me rekomandimet e EU, WB dhe udhëzues të iSO 14001. Në Janar 2005, Shqipëria nisi punën për Përgatitjen e Planit Kombëtar të Veprimit mbi Ndotësit Organik të Qëndrueshëm (NOQ), si kërkesë e Konventës së Stokholmit. Qëllimet e Konventës janë eliminimi i prodhimit dhe përdorimit të NOQ-ve (PCB) si dhe të stoqeve ekzistuese të tyre. Nëpërmjet këtij procesi, synohet zbatimi i aksioneve të nevojshme për parandalimin dhe zvogëlimin e ndotjeve, përmirësimin e vazhdueshëm të gjendjes mjedisore si dhe shkarkimeve në mjedis brenda vlerës së normave të lejuara, trajnimi dhe ndërgjegjësimi i personelit që ka në shfrytëzim këto pajisje. Gjithashtu, me qëllim sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin e popullatës për rëndësinë e vlerësimit të ndotjes së mjedisit dhe ndikimit të saj në shëndetin e tyre, në Qershor 2009 u nënshkrua një marrëveshje me komunitetin, e quajtur “Vlora Eco Watch”.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›