E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Pranojmë çdo kërkesë, por kutitë nuk hapen

Kryeministri ka deklaruar se regjistrimi i ri i popullsisë do bëhet edhe mbi bazën e etnisë

TIRANË - Mazhoranca dhe opozita janë përfshirë së fundi në një lojë nervash e fjalësh, ku secila shprehet e gatshme për të dialoguar, por duke mos lëvizur aspak nga qëndrimet që kanë mbajtur deri tani për hapjen e kutive. Kështu, ndërsa opozita, e cila po proteston në çdo qytet të Shqipërisë për hapjen e kutive, ka konfirmuar vullnetin për tu ulur në bisedime, por me kushtin nëse mazhoranca hap kutitë e votimit, shumica qeverisëse nga ana tjetër ka siguruar se pranon çdo kërkesë të saj, por që ajo të mos prekë çështjen e hetimit të zgjedhjeve. Ashtu si edhe në qëndrimet e mëparshme, Kryeministri i vendit, Sali Berisha, ka përsëritur sërish dje në një dalje për mediat se është i gatshëm për të pranuar çdo kërkesë të opozitës, por jo kërkesën për hapjen e kutive të votimit, duke e garantuar atë se shumica që ai drejton do të pranojë çdo kërkesë legjitime të saj. "E hapur gjithnjë ndaj opozitës. E garantoj që do të pranoj të plotësoj çdo kërkesë legjitime të saj. Edhe një herë e garantoj se do të pranoj çdo kërkesë. Unë jam këtu i zotuar për të pranuar çdo kërkesë legjitime, të ligjshme të opozitës", - tha dje Berisha, duke e konsideruar katastrofike çdo hap që do të prekte vendimin e gjykatës për zgjedhjet. Nga ana tjetër, ai nuk ka pranuar të bëjë të qartë nëse do të paraqitej para Gjykatës së Lartë për t'u përgjigjur për paditë që kreu i opozitës, Edi Rama, dhe nëna e tij kanë paraqitur ndaj tij për shpifje. I pyetur nëse do të pranonte një thirrje nga Gjykata e Lartë për këtë çështje, Kryeministri Berisha u shpreh se "Ajo që më takon mua është që cilido ka akses të lirë në gjykatat e vendit. Cilido ka akses për të paditur në gjykata çdo njeri. Kjo është detyra ime, e një standardi demokratik. Ky është komenti im". Gjatë konferencës së djeshme kreu i qeverisë ka konfirmuar se së shpejti në vend do të nisë regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë, ku qytetarët do të deklarojnë edhe përkatësinë e tyre etnike, sipas kërkesës së paraqitur më parë nga përfaqësuesit e minoritetit grek. Berisha ka bërë të ditur se Shqipëria nuk ka komplekse me identitetin e saj, ndaj çdo lidhje që i bëhet këtij fakti me regjistrimin e edhe të përkatësisë etnike është i gabuar. "Regjistrimin e popullsisë e konsideroj moralisht të detyrueshme që çdo qytetar i këtij vendi të shprehë përkatësinë e tij etnike. Çdo qytetar i këtij vendi të shprehë besimin e tij fetar. Natyrisht, ligjvënësi do të marrë modelet më të mira, të cilat të përjashtojnë spekulimin dhe t'u lejojnë qytetarëve të shprehin lirisht origjinën e tyre etnike. Ky popull, po t'ia rendisësh mungesat aktuale dhe të trashëguara listën e ka shumë të gjatë, por jo për identitet. Ky nuk është një komb dhe një popull që ka pasur apo ka probleme, apo komplekse me identitetin e tij. Absolutisht! E gabuar. Përkundrazi e nderon shumë që qytetarët me origjinë greke, qytetarët me origjinë boshnjake, qytetarët me origjinë maqedonase, qytetarët me origjinë serbe apo malazeze, qytetarët me origjinë arumune, qytetarët me origjinë rome apo egjiptiane të deklarojnë haptazi origjinën e tyre nuk është asgjë, vetëm na nderon", - nënvizoi Berisha. Kryeministri nuk la prekur edhe çështjen e energjisë elektrike, ndërsa është shprehur se për shkak se termocentralet prodhojnë energji me kosto shumë të lartë ato do të qëndrojnë të mbyllur për tu vënë në punë vetëm kur të jetë krizë. "Sot ne kemi TEC-in e Vlorës, ata që bërtitën u ngutën, sepse së pari, në kulmin e funksionit është herë nën standardin evropian të gazrave. Së dyti, po i rri i mbyllur, dhe do të rrijë i mbyllur për sa kohë ne të kemi energji tjetër. Por, ne nuk mund të rrimë në mëshirë të thatësirës. Kjo është një politikë. Ne mund të kemi edhe një TEC tjetër sërish me gaz, dhe ai do të rrijë i mbyllur", - theksoi Kryeministri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›