E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Pro dialogut, por më parë kushtet tona

Moti i keq me reshje të shumta shiu dhe dëbore të shoqëruara dhe me ulje të ndjeshme të temperaturave nuk i ka penguar lezhjanët dhe shkodranët të dalin në shesh dhe të protestojnë së bashku me Partinë Socialiste për krizën ekonomiko-politike që ka përfshirë vendin. Me moton "Hap kutitë ose largohu" Partia Socialiste ka vijuar dje protestat e saja në qytetin e Shkodrës dhe të Lezhës, duke evidentuar paaftësinë e qeverisë për të zgjidhur jo vetëm krizën politike që është krijuar për shkak të debatit për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, por edhe krizën ekonomike që, sipas saj, po e vuan sot çdo shqiptar që nuk është pjesë e pushtetit. Duke marrë fjalën në këto takime, kreu socialist, Edi Rama, ka rreshtuar edhe një herë të gjitha tiparet që e karakterizojnë krizën ekonomike dhe politike që, sipas tij, po bën që Shqipëria të mbetet pas vendeve të tjera, qofshin këto edhe fqinje, qytetarët e të cilave prej ditës së djeshme mund të lëvizin të lirshëm në vendet e zonës së Shengenit. Rama e ka nisur pikërisht me problemin e rritjes së çmimit të energjisë, i cili për të nuk do të ritet 13 përqind sa ka deklaruar qeveria por plot 22 për qind. "Ata me siguri nuk e kanë marrë vesh ende akoma se për restorantet, për baret, për ushqimoret, për rrobaqepësitë floktoret, për libraritë, për kinkaleritë, për të gjitha ato njësi që japin këto shërbime për qytetarët, çmimi i ri i energjisë nuk është 13% më i lartë, po është 22%. Ne protestojmë në emër të tyre", - tha Rama në fjalën e vet. Por, rritja e çmimit të energjisë, sipas tij, do të ketë efekte më negative për shtresat sociale, kryesisht pensionistët, të cilëve me këtë rritje do t'u zerohet rritja e pensionit që qeveria u bëri para disa muajve. Duke qëndruar tek biznesi ai ka prurë në vëmendje të pjesëmarrësve në këto tubime se falë vendimeve të mazhorancës sot biznesmenët e vegjël duhet të paguajnë taksa të papërballueshme, dhe kjo me synimin e vetëm për të mbushur arkën e shtetit. Por, për shefin e opozitës lista e problemeve, me të cilat po përballen shqiptarët nuk mbaron me kaq, pasi ai ka renditur nder të tjera edhe rritjen e kostos së shërbimeve mjekësore, mungesën e lekëve për pagesat dhe shpërblimet e buxhetorëve etj., çka, sipas tij, ka bërë që shqiptarët sot në këtë prag viti të ri të mos festojnë, por të protestojnë. Për këtë krizë të gjithanshme Rama ka akuzuar qeverinë se nuk mori parasysh alarmin e dhënë jo vetëm nga opozita, por edhe nga institucionet ndërkombëtare ekonomike, të cilat i sugjeruan asaj masa parandaluese. Të gjitha këto problemepër socialistët kanë si burime të tyre mungesën e legjitimitetit që kanë institucionet e vendit, të cilat për shkak se nuk bazohen në votën e shqiptarëve nuk mund të marrin vendime për të mirën e përgjithshme. Prandaj, edhe në këto mitingje, përfaqësuesit e lartë socialistë kanë ripërsëritur se zgjidhja e vetme e gjithsa po ndodh në vend është hapja e kutive dhe bërja e transparencës së zgjedhjeve. "Ne nuk jemi kundër dialogut, s'kemi qenë kurrë dhe s'do të jemi kurrë, por më parë të marrin mbrapsht akuzat e turpshme dhe shpifjet monstruoze ndaj opozitës dhe të heqin dorë nga kushti i moshapjes së kutive, duke i dhënë fund gënjeshtrës së gënjeshtrave, që medemek hapja e kutive qenka në kundërshtim me vendimin e gjykatës", - përfundoi Rama, duke garantuar edhe një herë se është i vendosur për t'i shkuar deri në fund kësaj beteje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›