Avokatë dhe shërbëtorë të interesave të të gjithë qytetarëve

Ministri Halimi, bashkëbisedim me fermerët e Krujës
Rrugët që kemi ndërtuar në këto vite kanë sjellë zhvillim dhe punësim, duke krijuar kushte për zbatimin e projekteve të tjera madhore në katër vitet që vijnë. Kjo ka qenë kryefjala e bashkëbisedimit që ministri i Drejtësisë, njëkohësisht kreu i grupit të punës së PD në qarkun e Durrësit, Eduard Halimi, zhvilloi dje në mesditë në fshatin Budull të komunës së Bubqit. Në takim morën pjesë fermerë nga komuna të ndryshme të rrethit të Krujës, të cilët sollën dëshmi për ndryshimet e shumta pozitive, veçanërisht në infrastrukturën rrugore mes fshatrave. "Alternativa që PD ofron për të gjithë ju më 23 qershor është ajo e zhvillimit dhe ndryshimit, ndërsa kreu i PS ka provuar në vite se kërkon të kundërtën. Gjatë këtyre 8 viteve kryeministri Berisha dhe qeveria shqiptare zgjodhën të ndërtojnë rrugët në të gjithë vendin, duke përfunduar një projekt madhor dhe duke i hapur rrugë realizimit të reformave të tjera", theksoi z. Halimi."Brenda muajit nëntor të këtij viti ne do të përfundojmë hartën dixhitale, duke mundësuar njohjen e pronave bujqësore në të gjithë vendin", theksoi më tej z. Halimi. Ai theksoi gjithashtu se subvencionimi i fermave bujqësore nga qeveria shqiptare ka sjellë rritje të prodhimit në të gjithë vendin. Kjo rritje do të ishte disa herë më e madhe, nëse PS dhe kryetari i saj nuk do të pengonin hapat e ndërmarrë nga qeveria për integrimin e vendit në BE, theksoi ai. Në këto kushte, aplikimet e fermerëve për subvencionet në bujqësi nuk janë kryer në mënyrë të drejtpërdrejtë, kanë kaluar përmes Agjencive të huaja, duke ulur disa herë shumën e përfitimit nga fermerët shqiptarë. Në katër vitet e ardhshme e gjithë fytyra e vendit do të kthehet nga zhvillimi i fshatit, nënvizoi z. Halimi, duke premtuar realizimin e hapave të tjerë konkretë në këtë sektor. Duke iu përgjigjur interesimit për projektet e ardhshme z. Halimi tha se në muajin shtator në qarkun e Durrësit do të nisë zbatimi i projektit me vlerë 86 milion USD, që në bashkëpunim me Bankën Botërore, do të mundësojë rritjen e sasisë së ujit të pijshëm, jo vetëm për qytetin, por edhe për fshatrat e komunave të qarkut. Gjatë prezantimit të z. Vullnet Topalli si kandidatin për deputet të Partisë Demokratike në këtë zonë, ministri Halimi tha se ata së bashku do të jenë në parlamentin e ardhshëm avokatë dhe shërbëtorë të interesave të të gjithë qytetarëve shqiptarë.