E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Rama të sqarojë arsyet se pse nuk ka paguar taksat

14-06-2013 / Gazeta 55

Partia Demokratike akuzoi sërish kreun e Partisë Socialiste se la shkelur ligjin, ndërkohë që refuzon t’i përgjigjet pyetjeve të thjeshta që kanë qytetarët mbi arsyet se pse nuk ka paguar taksat. "Kanë kaluar gjashtë ditë dhe Edi Rama akoma refuzon ti përgjigjet pyetjeve të thjeshta që kanë qytetarët mbi arsyet se pse nuk ka paguar taksat", tha për mediat në një konferencë për shtyp Laura Vorpsi, zëdhënësja e PD. Vorpsi tha më tej se "Edi Rama e theu ligjin duke mos deklaruar të ardhurat dhe këtë e dimë nga zëdhënësi që nxorri vetë Rama. Edi Rama e ka pranuar vetë në deklaratat e të ardhurave dhe spotet televizive që ka fituar 9.3 milion Lek nga libri Kurban, por raportimet e mediave tregojnë që ai nuk i ka paguar të gjitha taksat mbi këtë shumë të ardhurash". "Tani kemi filluar të mësojmë edhe më shumë nga ky mashtrim. Sipas raportimit të mediave, Edi Rama nuk ka paguar të paktën 500.000 Lek taksa vetëm nga libri Kurban dhe me shumë probabilitet kjo shumë shkon deri në 700.000 Lek, vetëm nga Kurbani", u shpreh më tej Vorpsi, duke theksuar se Rama vazhdon të refuzojë të përgjigjet para qytetarëve mbi arsyen që theu ligjin dhe fsheh të vërtetën. Zëdhënësja e PD ngre pyetje se pse Rama nuk e bëri deklarimin e të ardhurave nëpërmjet internetit, apo kur do t’i paguajë taksat e prapambetura. "Nëse Edi Rama i ka fshehur të ardhurat e tij nga Kurbani për të shmangur pagesën e taksave, çfarë të ardhurash të tjera po fsheh Edi Rama? Çfarë taksash të tjera nuk po paguan Rama?", tha Vorpsi, duke ngritur pyetjen sesi Rama po financon vilën që po ndërton në Dajt. "Nëse Edi Rama nuk ka asgjë për të fshehur, atëhere le të dalë përpara qytetarëve dhe t’u japë përgjigje pyetjeve të tyre. Porse, me çdo ditë që kalon në heshtje, Edi Rama vetëm se konfirmon fajësinë e vet", theksoi Vorpsi, duke nënvizuar se ka ardhur koha që Edi Rama mos ta fshehë më të vërtetën. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›