Avokatët: Të ndahet procesi gjyqësor
Ende asnjë zgjidhje për procesin më të rëndësishëm në Shqipëri, i cili ka shënuar dje dështimin e katërt që nga momenti që çështja ka kaluar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës. Palët në proces kanë propozuar një sërë argumentesh ligjore që gjyqi të mos dështojë. Prokurorët do të diskutojnë mundësinë që gjyqi të zhvillohet në të gjitha ditët e javës në Gjykatën e Tiranës, ndërsa avokatët pretendojnë se një proces gjyqësor me kaq shumë të pandehur nuk mund të vazhdojë normalisht. Një javë më parë, avokati Maksim Haxhia foli në seancë në emër të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, duke qenë edhe kryetar i saj. Ai tha se është e pamundur që një çështje të zhvillohet normalisht me këtë numër avokatësh dhe kërkoi nga trupi gjykues, duke u bazuar në Kodin e Procedurës Penale, që çështja të ndahet, ku të pandehurit civilë të gjykohen veçmas të pandehurve ushtarakë. Sipas tij, pas kësaj do të ishte më e lehtë për organet gjyqësore të zhvillonin normalisht seancat gjyqësore. Lidhur me kërkesën e Haxhisë, reagoi edhe prokurori Altin Dumani, i cili e quajti të parakohshme kërkesën, duke deklaruar se organi i akuzës do të diskutojë një zgjidhje për procesin. Megjithatë, me kalimin e ditëve prokuroria po diskuton një zgjidhje optimale për çështjen: gjyqi të zhvillohet në të gjitha ditët e javës, në orën 8 ose 10 të paradites dhe nëse mungon ndonjë avokat, ai do të dërgohet në Ministrinë e Drejtësisë për ndjekje disiplinore. Duket se kërkesa mund të parashtrohet në seancën e radhës.