E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet 40-vjeçarja, falsifikoi dokumentet e gjendjes civile

Policia e Tiranës ka arrestuar një 40-vjeçare, pasi rezulton se është dënuar nga Gjykata e Tiranës me nëntë muaj burg për veprën penale të "falsifikimit të gjendjes civile". Mrika Prendi u kap nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Numër 3 Tiranë, në afërsi të rrugës "Lord Bajron" në Laprakë. Sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës, rezultoi se nga shërbimet e policisë gjyqësore, më datë 22 nëntor 2006, është bllokuar praktika e aplikimit për t‘u pajisur me pasaportë ndaj të pandehurës Andona Karabeci, pasi nga shqyrtimi i dokumenteve ka rezultuar mospërputhje në rubrikën "datëlindja". Gjatë hetimeve paraprake është provuar se Karabeci në vitin 2003 është pajisur me pasaportë, ku një nga dokumentet që ajo ka paraqitur është edhe certifikata e lindjes. Në këtë certifikatë, si datë e lindjes për Andona Karabecin ishte pasqyruar data 15.03.1968, kur realisht ajo është e datëlindjes 25.02.1968.

Gjykata e Tiranës thotë se certifikata e lindjes ishte plotësuar dhe lëshuar nga e pandehura Mrika Prendi, me detyrë punonjëse e Zyrës së Gjendjes Civile të Njësisë nr.11 Laprakë, Tiranë. Prendi, ndryshe nga regjistri themeltar i shtetasve ku ishin pasqyruar të dhënat e familjes Karabeci, e cila figuron e datëlindjes 25.02.1968, e ka plotësuar dhe lëshuar certifikatën e lindjes duke pasqyruar si datë dhe muaj të lindjes 15.03.1968, duke falsifikuar kështu përmbajtjen e këtij akti të gjendjes civile. Nga hetimi gjyqësor ka rezultuar se plotësimin dhe lëshimin e certifikatës së lindjes së Karabecit, Mrika Prendi e ka plotësuar mbi bazën e kërkesës së Andona Karabecit, pasi me këtë datëlindje ajo kishte plotësuar dokumentet si emigrante në Greqi. Vetë e arrestuara nga policia ka pretenduar para prokurorisë se e ka lëshuar ajo certifikatën, por shton se Andona Karabeci i është paraqitur me një dokument identifikimi me gjeneralitetet e caktuara në këtë certifikatë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›