Avokatët: Të shmangen dëshmitarët që përsërisin faktet

GËRDECI
Sipas pretendimit të mbrojtësve të të akuzuarve dëshmitarët e prokurorisë që pohojnë fakte të njëjta të evitohen për të ulur shpenzimet
Pas kërkesës së djeshme Prokuroria, pranoi të përzgjedhë dëshmitarët, por duke mbajtur në listë të dëmtuarit apo të plagosurit
TIRANË- Mbrojtësit ligjorë të 28 të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit, pas dëgjimit të rreth 40 dëshmitarëve të organit të akuzës, kanë protestuar duke kërkuar evitimin e pyetjes së dëshmitarëve që provojnë faktin e shpërthimit, pasi sipas tyre, kjo është e pa mohueshme.
Avokati i të pandehurit Dashnor Çaushaj, Mark Pëllumbi, dëgjoi bashkë me kolegët e tij gjashtë dëshmitarët e radhës të prokurorisë gjatë seancës së djeshme, dhe në fund i kërkoi trupit gjykues shmangien e dëshmitarëve që përsërisin ngjarjen e 15 marsit 2008-s për efekt ekonomie gjyqësore.
"Deri tani kemi dëgjuar rreth 40 dëshmitarë të organit të akuzës. Shumica prej tyre ka përsëritur të njëjtat gjëra në lidhje me faktin e shpërthimit të 15 marsit 2008. Ne nuk e vëmë në dyshim që ajo ka ndodhur por për ekonomi gjyqësore duam që gjykata t'i kërkojë prokurorisë evitimin e dëshmitarëve që provojnë shpërthimin.
Shumica prej tyre thonë të njëjtat gjëra që janë thënë nga dëshmitarët e tjerë dhe nuk sjellin ndonjë fakt tjetër, kështu që i kërkojmë akuzës të heqë dorë nga dëshmitarë që përsërisin të njëjtin fakt dhe të sjellë dëshmitarë që provojnë akuzat ndaj klientëve tanë ose të kundërtën"-tha avokati Pëllumbi.
Edhe drejtuesi i treshes gjykuese, Ridvan Hado, shprehu të njëjtin shqetësim, duke i kërkuar akuzës të reduktonte emra që provonin të njëjtin fakt.
"Ne kemi kërkuar në çdo seancë gjyqësore që të evitohen dëshmitarët që përsërisin të njëjtat gjëra, por, ne kemi pranuar të gjithë listën e dëshmitarëve të sjellë nga organi i akuzës",- theksoi kryesuesi e seancës.
Menjëherë reaguan përfaqësuesit e akuzës, që u shprehën: "Po zgjedhim emra që nuk thonë asgjë tjetër përveçse faktin e shpërthimit, por nuk mund të shmangim dëshmitarët që kanë qenë të punësuar në atë fabrikë dhe që janë plagosur nga ai shpërthim",-nënvizoi prokurori Altin Dumani.
Kjo bisedë mori shkas nga deklarimet e përafërta të dhëna nga shumë dëshmitarë në çështje. Dje dëshmuan me kërkesë të akuzës banorët e zonës ku ishte ngritur fabrika, Rabie Gërdeci, Avni Kurti, Bihane Halili, Alketa Azizi, Drita Cani dhe Zyra Hasa.
Të githë këta dëshmitarë konfirmuan se ishin punësuar nga drejtori teknik i fabrikës Dritan Minxholli dhe kishin punuar pa firmosur asnjë kontratë apo rregullore të sigurimit teknikë të punës.
I vetmi që pranoi faktin se drejtuesit e fabrikës i udhëzonin për mënyrën e punës ishte Avni Kurti, që tha se "gjithë kohës na udhëzonin për punën.
Nuk më lejonin të punoja pa syza të plastikës për mbrojtjen e syve tek makineritë e demontimit të fishekëve dhe nuk lejonin të punoje me shapka"-tha Kurti, duke pranuar se aty punonin edhe disa amerikanë por që nuk ishte në gjendje t'i identifikonte me emra.
Drita Cani konfirmoi se karrocat prisheshin shpesh dhe saldoheshin në banesën e Qemal Deliut, i cili gjeti vdekjen nga shpërthimi. Ndërkohë, dëshmitarja Rabie Gërdeci që paraqiti para togave të zeza një foto të djegieve të saj u shpreh se shfrytëzimi ishte maksimal.
Kush ankohej për normën e lartë pushohej nga puna, siç kishte ndodhur me bashkëshortin e saj. Minxholli i pranishëm në seancë, saktësoi se në fabrikë punohej çdo ditë pa respektuar fundjavën.
"Me referencë të Patrik Henrit në fabrikë punohej çdo ditë. Kush mungonte nuk paguhej por edhe nuk i kërkohej llogari. Aty punonte ai që dëshironte, nuk është urdhëruar asnjë",-tha Minxholli.