E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk marrin pagat, pilotët devijojnë avionin për në Bratislavë

SKANDALI

110 pasagjerë të një avioni të “Albanian Airlines”, ishin nisur për në Bolonja, por kanë përfunduar në kryeqytetin e Sllovakisë, pasi pilotët nuk ishin paguar prej muajsh
Artan CENA
Tiranë - Një avion i “Albanian Airlines”, i nisur nga Tirana në drejtim të Bolonjas ka ndryshuar rrugë në mënyrë të dyshimtë, duke përfunduar në kryeqytetin sllovak, Bratislavë. Siç bënë të ditur burime nga aeroporti i Rinasit, avioni me 110 pasagjerë në bord ishte ngritur në ora 16:30 nga Rinasi me destinacion aeroportin e Bolonjës në Itali. Por gjatë fluturimit pilotët kanë devijuar trajektoren e parashikuar dhe mësohet se avioni ka përfunduar në Bratislava. Nuk janë të qarta shkaqet që avioni ka ndryshuar vendin e uljes dhe deri më tani mendohet se ka qenë një protestë nga ana e pilotëve të kompanisë, për shkak të mos pagesës së rrogave. Ndërkaq kompania Albania Airlines bën të ditur përmes një komunikimi zyrtar se pilotët cekë janë paguar rregullisht, ndërsa shkak i këtij devijimi ka qenë një defekt teknik. Kompania deklaron se ka nisur një tjetër avion drejt Bratislavës për të transportuar pasagjerët drejt Bolonjës. Sipas të dhënave, janë 110 pasagjerë të nisur nga Tirana për në Itali me avionin e Albania Airlines por që pas më shumë se dy orësh në ajër ka përfunduar në Bratislavë të Sllovakisë. Skandali është bërë i ditur nga familjarët e pasagjerëve të cilët kanë njoftuar median në lidhje me këtë ngjarje. Ata ishin lidhur në telefon me të afërmit dhe kur kanë marrë vesh që ishin në Sllovaki kanë kërkuar ndihmën e autoriteteve. Pasagjerët janë vendosur në aeroport, ndërsa kanë treguar se, asnjeri nuk i ka sqaruar për situatën e krijuar. Sipas pasagjerëve, e vetmja gjë që u është thënë bën fjalë për një defekt në avion dhe një ulje të detyruar në Sllovaki, ndërsa destinacioni ka qenë Bolonja. Një nga pasagjerët ka treguar se, stjuardesat u kishin thënë se, avioni kishte defekt që mund të rregullohej vetëm në Sllovaki. Ndërkaq burime zyrtare nga Ministria e e Transporteve avioni është në pronësi te Kompanisë Ajrore Sllovake “Air Slovakia”. Sipas tyre, avioni është në shërbim dhe punon për llogari të Kompanisë ajrore “Albanian Airlines Mak’’ prej gati 3 muajsh në bazë të një kontrate “ëet Lease” sipas të cilës avioni, ekuipazhi dhe mbulimi i sigurisë operacionale i takon Autoritetit Rregullator të Republikës së Sllovakisë. “Avioni ka 110 pasagjerë në bord. Të 110 pasagjerët e avionit, për momentin, janë akomoduar në ambientet e aeroportit te Bratislavës. Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil autorizoi Kompaninë Ajrore “Albanian Airlines Mak”, pas kërkesës së kësaj të fundit, për të organizuar një fluturim extra për te transportuar pasagjerët nga Aeroporti i Bratislavës ku ndodhen aktualisht për në Aeroportin e Bolonjës”, thanë burimet e ministrisë. Ndërkaq që, Drejtoria e Përgjithshme e Aviacioni Civil ka ngritur grupin e punës dhe po verifikon ngjarjen.
“Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit nga njoftimet paraprake që ka pasur me Departamentin Operacional të Kompanisë Ajrore “Albanian Airlines” për Fluturimin e datës 17 janar 2010, të avionit i Tipit Boeing 737/300 me shenje regjistrimi OM-ASD, me numër fluturimi LV 226 dhe me destinacion Bologna (Itali), është nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza”, në orën 16:31 sipas orës lokale dhe është ulur ne aeroportin e Bratislavës – Republika Sllovake. Deri në momentin e daljes nga hapësira ajrore e Republikës se Shqipërisë, avioni ka fluturuar sipas planit të aprovuar te fluturimit nga autoritetet shqiptare me destinacion Bolonjën”, thanë mbrëmjen e djeshme burime zyrtare nga ministria. Ndërkaq në ndihmë të pasagjerëve të bllokuar në Bratislavë, është nisur dhe i ngarkuari me punë i Shqipërisë në Austri.
 
Pasagjerët: Na gënjyen, na thanë se ka defekt
Pasagjerë thanë nga Bratislava se, fillimisht kanë konstatuar se rruga po zgjaste më tepër se zakonisht. Pas shqetësimeve të pasagjerëve, pilotët dhe ekuipazhi u kanë thënë atyre se bëhej fjalë për një defekt teknik i cili mund të riparohej vetëm në Bratislavë. Pasi kanë mbërritur aty pasagjerët janë zbritur nga avioni ndërsa pilotët dhe stjuardesat kanë hequr uniformat e punës dhe janë larguar. Pasagjerët thonë se janë mbyllur në një sallë dhe nuk lejohen të lëvizin. Policia shqiptare konfirmon se pilotët e avionit janë shtetas të huaj, jo shqiptare.
 
Grabitje me “llampa të kuqe”, historia e 38 vjeçares shqiptare
Torino - është Mirela çobo, emigrantja shqiptare e cila është vënë në pranga dy dt më parë pasi duke i joshur meshkujt, bënte foto provokuese me ta dhe më pas u bënte shantazh që tu merrte para. Ndërkaq që emigranti kroat, është Mario Sabatti, 70 vjeç, i cili hynte fshehurazi në ndërtesë bënte fotot dhe më pas “çifti “, i përdorte për të marrë paratë. Grabitjet me “llampa të kuqe”, bëheshin zakonisht ndaj njerëzve të pasur që ishin në kërkim të aventurave. Ishte pikërisht kjo “puna”, që çoi në pranga çiftin. Ndërkaq që pas arrestimit policia ka bërë kontrolle në dy apartamente, në Arquata të Torinos. Kishte qenë një prej viktimave që kishte bërë denoncimin dhe më pas policia kishte zhvilluar aksionin për të ndaluar dy të dyshuarit për shantazh.  I fundit që kishte rënë pre e mashtrimit kishte qenë Antonio, një njeri i njohur në zonën e tij, që prej viteve ’70. Kishte qenë fundi i dhjetorit të vitit të kaluar ishte njohur me Mirelën, 38 vjeçaren emigrante nga Shqipëria, por që jetonte prej vitesh në Italia. Njohja e tyre kishte ndodhur në një rrugë të Kierit, kur Antonio ishte duke mbaruar disa punë. Një shkëmbim fjalësh dhe më pas ata të dy kishin shkëmbyer numrat e telefonit. Pas disa ditësh të dy kishin shkuar në një hotel dhe kishin kaluar disa orë. Në datën 15 janar, Antonio kishte shkuar në shtëpinë e Mirelës. Pak më vonë në një moment, kishte hyrë një burrë rreth 70 vjeç me një aparat në dorë dhe pasi kishte bërë disa shkrepje kur ata ishin në një skenë të nxehtë, ishte larguar me të shpejtë. Pas tij kishte dalë dhe gruaja, e cila më pas ishte kthyer. Në këtë moment ajo i kishte thënë viktimës, se e njihte, i kishte numrin e targës, i dinte emrin dhe nëse donte që fotot të mos përfundonin në dorën e gruas së tij, duhet të jepte para. Pas dy ditësh e kishte takuar sërish dhe i kishte kërkuar 20 mijë euro, me qëllim që fotot të mos stampoheshin. I ndodhur në këtë gjendje ai kishte shkuar në polici dhe kishte treguar historinë e tij. Pasi kishte bërë denoncimin, karabinierët kishin organizuar planin, i kishin thënë Antonios që të linte një takim me vajzën dhe më pas do të ndërhynin ata. E kështu ndodhi dy ditë më parë. Ai kishte lënë një vend takimi me 38 vjeçaren gjoja për ti dhënë paratë e në këtë moment kanë ndërhyrë dhe e kishin arrestuar. Nuk kanë mjaftuar shumë pyetje dhe ajo kishte treguar bashkëpunëtorin e saj. Pas kësaj policia ka ndaluar dhe 70 vjeçarin, emigrant nga Kroacia. Pasi i ka shoqëruar dy të dyshuarit për shantazh, karabinierët kanë bërë kontrolle në dy apartamente që i përdorte “çifti”. Në ambientet e tyre janë gjetur disa aparate fotografike dhe një numër i madh fotosh, të personave të ndryshëm, që sipas policisë do të ishin viktimat e radhës së dy të arrestuarve. Policia tha se, tani po pret që persona të tjerë të njohur të vijnë dhe të bëjnë denoncimet e tyre me qëllim që vepra penale ndaj të ndaluarve të rëndohet dhe më tepër.
 
Vdes nga ovedoza një i ri, nisin hetimet
Tiranë - Overdoza i ka marrë jetën një të riu dje. Ngjarja ka ndodhur në Tiranë dhe policia ka nisur hetimet. Burime nga uniformat blu të kryeqytetit kanë bërë të ditur se, bëhet fjalë për një 23-vjeçar, i cili që në moshë të mitur ka qenë kontingjent kriminal dhe është arrestuar disa herë për vjedhje. Rifat Arixhiu është dërguar nga të afërmit në spital, kur ishte në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Sipas të dhënave policore, ngjarja është regjistruar dy ditë më parë, kur shërbimet e komisariatit nr. 2 janë njoftuar për vdekjen e tij. Burimet shpjegojnë se ai vdiq rreth orës 13:00 në spital dhe menjëherë është dërguar për kryerjen e autopsisë. Nga ekzaminimet mjekësore ka rezultuar se ai ishte përdorues i drogave të forta prej kohësh dhe overdoza i ka shkaktuar vdekjen. Nga ana tjetër, një grup pune është dërguar në banesën e tij në rrugën “Irfan Tomini”. Atje janë gjetur edhe objekte të përdorura prej tij për të marrë dozën e drogës. Sipas të dhënave, ai ishte person me dosje penale, sidomos në fushën e vjedhjeve. Burimet policore tregojnë se disa herë, qëkur ishte 14 vjeç ishte kapur për vjedhje të ndryshme. Policia tha se po heton më tej në lidhje me këtë vdekje, ndërkohë që materialet i kanë kaluar prokurorisë.
 
 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›