E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarr në ndërtesën e re të qeverisë

Flakët kanë përfshirë, sot në mëngjes, disa dhoma të pjesës së prapme në ndërtesën e re të Qeverisë së Kosovës (ish-Pallatin e Shtypit), ndërsa reagimi i shpejt i zjarrfikësve ka bërë që të lokalizohet dhe ndalohet përhapja e zjarrit dhe të mos ketë të lënduar në njerëz.

Zjarri ka shpërthyer në ndërtesën e rinovuar të Qeverisë së Kosovës, i inauguruar më 18 nëntor të vitit të kaluar dhe ku pritet të hyjnë disa ministri.

Menjëherë pasi zjarrfikësit kanë bërë lokalizimin e zjarrit, zyrtarë policorë deklaruar se flakët kanë qenë të lokalizuara dhe reagimi i shpejtë në shuarje ka bërë që mos të ketë as persona të lënduar, ndërsa hetuesit ende janë duke shikuar për të kuptuar shkaqet e shpërthimit të zjarrit.

“Sot rreth orës 8:40 minuta, policia ka marrë informacionin se në ndërtesën e ish-Rilindjes ka ndodhur një zjarr. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, të gjitha njësitet e nevojshme për të menaxhuar me këtë situatë kanë dal në vendin e ngjarjes. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe zyrtari për hetimin e shkaqeve të zjarrit nga Departamenti i Emergjencave në nivelin komunal, si dhe prokurori", ka thënë zëdhënësi rajonal i Policisë së Kosovës, Agron Borovci.

"Aktualisht, policia ka nisur një hetim për të analizuar dhe për të sqaruar të gjitha rrethanat të cilat kanë sjell deri te kjo ngjarje. Fatmirësisht nuk ka pasur ndonjë person të lënduar, ndërsa dëmet materiale janë të kufizuara në një pjesë të vogël”, theksoi ai.

Derisa tani për tani nuk dihen përmasat e dëmeve materiale të shkaktuara nga zjarri, Borovci thotë se flakët janë përhapur gjatë kryerjes së punëve nga disa punonjës brenda ndërtesës.

Në objektin e ish-Rilindjes, i njohur edhe si Pallati i Mediave, i cili ka kushtuar 15 milionë euro për t’u rinovuar për nevoja të qeverisë, pritet të vendosen katër ministri dhe një staf prej rreth 800 punonjësish.

Punimet e rinovimit të objektit i ka kryer kompania vendore Mabetex, ndërsa kanë mbetur të kryhen edhe disa punime dhe përfundimisht të jetë gati më së largu deri në muajin maj. (KosovaPress)

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›