E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokatët e Bashës: Prokuroria zgjat hetimet qëllimisht

Tiranë- “Kjo çështje për shkak të mosushtrimit të ndjekjes penale në kohë dhe brenda afateve, për motive qartësisht jo ligjore dhe me prapavijë politike, për faj tërësisht të prokurorisë ka dalë jashtë çdo lloj shtrati procedurial”, kështu janë shprehur sot dy avokatët e të pandehurve Lulzim Basha dhe Andi Toma. Sipas avokatëve Zef  Nika dhe Genc Gjokutaj, prokuroria në vazhdën e saj antiligjore po tenton të mbrojë veprimet e saj thellësisht arbitrare dhe antiligjore.

Mbrojtja e ministrit Basha akuzon se gjithçka e ngritur mbi klientin e tij është një proces i montuar politikisht. “Këto veprime dhe pretendime antiligjore dhe antikushtetuese të prokurorisë manifestojnë në mënyrën më skandaloze dhe më të paprecedentë në historinë e drejtësisë shqiptare, se kemi të bëjmë me një proces të montuar politik”, thuhet në njoftimin  për mediat të dy avokatëve.

Sipas tyre vonesa në hetim është bërë qëllimisht. “Ky procedim penal është regjistruar që në muajin janar të vitit 2007. Bazuar në ligjin procedurial penal, afati normal i hetimit të një çështje është tre muaj. Brenda këtij afati duhet të përfundojë hetimin në një nga mënyrat që parashikon ligji: pushim ose dërgim të çështjes në gjyq. Nga ana e prokurorisë janë marrë zgjatje të njëpasnjëshme të afatit hetimor, duke e çuar hetimin në limitet e afatit maksimal 2 vjeçar, rast ky i paprecedent në historinë e drejtësisë shqiptare.

Prokuroria e Përgjithshme, në shkelje të funksioneve të saj kushtetuese, në vend të hetimit të shpejtë dhe objektiv të çështjes, qëllimisht ka zvarritur përfundimin e saj”, thuhet më tej në deklaratë.  

Duke këmbëngulur se tashmë cështja ndaj klientëve të tyre është jashtë afatit të hetimeve, avokatët thonë se çdo vendim apo akt për njoftim akuze është në shkelje të ligjit dhe përbën një abuzim flagrant.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›