E Diel, 1 Nëntor 2026

PS, Dade: Basha të dorëhiqet, po politizon vjedhjen e tij ordinere

Tiranë- Sekretarja për Marrëdhëniet me Jashte në PS, Arta Dade është shprehur sot për mediat se “ministri nën akuzë Lulzim Basha po përdor Ministrinë e Jashtme për t’u mbrojtur nga akuza që rëndon mbi të për shpërdorim detyre në ministrinë që drejtonte më parë, atë të Transporteve. “Ministri i pandehur Basha po përdor diplomacine shqiptare për shfajësime tërësisht personale duke dëmtuar kështu rëndë imazhin e Shqipërisë dhe Kosovës që ndodhen sipas saj në procese vendimtare”, tha Dade.

Reagimi i saj erdhi një ditë pas deklaratës së ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, që i vlerësoi si akuza politike, nisjen e hetimeve për shpërdorimet e rrugës “Durrës-Kukës”. Dje ministri i Jashtëm ka kryer një abuzivizëm tjetër me detyrën, ai ka përdorur podiumin e Ministrisë së Jashtme, të asaj ministrie që përfaqëson interesat e shtetit për të sulmuar opozitën dhe për ta shitur çështjen ordinere ku është i përfshirë, si çështje politike”, deklaroi Dade.

Partia Socialiste ripërsëriti kërkesën për dorëheqjen e Bashës, duke i kërkuar Kryeministri Sali Berisha ta zëvëndësojë ministrin e Jashtëm. “Një ministër i marrë si i pandehur nuk mund të përfaqësojë më diplomacinë shqiptare”, tha Dade, ndërsa shtoi se “ai duhet të ishte zëvendësuar me një figurë të denjë në mënyrë që të ulej si i barabartë me gjithë homologët e vet për çështje shumë madhore të Shqipërisë dhe Kosovës”. PS deklaron se Basha është një nga figurat përfaqësuese të korrupsionit në qeverinë e Berishës. “ Tashmë nuk ka më asnjë iluzion dhe shqiptarët po binden çdo ditë, se kjo është qeveria më e paaftë dhe e korruptuar e të gjithë tranzicionit dhe pa dyshim që Lulëzim Basha është një nga figurat më përfaqësuese të këtij korrupsioni dhe paaftësi, që nis nga zyra e Sali Berishës”, tha Dade, sekretare për Marrëdhëniet me Jashtë, si dhe ish-ministre e Jashme e qeverisjes socialiste.

Akuzat e saj pasojnë ato të Bashës, një ditë më parë. Ministri i Jashtëm në një konferencë për shtyp mbrojti veten ndaj akuzave serioze që i adresohen atij për abuzime me fundet publike për ndërtimin e rrugës “Durrës Kukës”. Basha ka sulmuar ashpër kreun e PS, Edi Rama, të cilin e quajti armik të ndërtimit të rrugës Durës-Kukës. “ Socialistët mashtruan shqiptaret e Kosovës për rrugën duke u fshehur pas taksës. “Shqipëria humbi 400 milion euro duke mos e ndërtuar këtë rrugë”, tha Basha. Sipas tij, prokuroria është e ndikuar politikisht për ta hetuar për rrugën.

Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha është nën akuzë për shpërdorim detyre. Ai po hetohet nga prokuroria e Tiranës, për rrugën “Durrës-Kukës”, ku sipas raportit të grupit të ekspertëve janë shpërdoruar 230 milion euro për rrugën që po ndërtohet, projekti i së cilës u miratua në kohën kur Basha ishte ministër i Transporteve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›