E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokatët e Metës: Padi Priftit për shpifje

02/11/2011  Deklarata pas përgjigjes së ekspertizës së videos “Meta-Prifti”

Reagon Prifti: Nuk më trembin kërcënimet e avokatëve të djallit

TIRANË- Një ditë pasi ekspertët dolën në konkluzionin se videoja “Meta-Prifti” nuk ishte origjinale, kanë shpërthyer akuzat dhe kundërakuzat mes avokatëve të Metës dhe Dritan Priftit. Kështu, avokati i ish-zv/kryeministrit Ilir Meta së bashku me ish-deputetin Spartak Braho u shfaqën dje para medias për të komentuar aktin e ekspertimit të tre ekspertëve shqiptarë mbi videon Meta-Prifti. “Nuk jam takuar me ekspertët e caktuar nga Gjykata e Lartë siç thotë Dritan Prifti për ditën e shtunë. Unë do marr hapat e mëtejshme ligjore për të përcaktuar pozicionin tim si avokat”,- ka thënë avokati Serjani. Ai ngulmoi se do të kallëzohet penalisht deputeti Prifti për shpifje. Sipas avokatëve, akti i ekspertimit ishte i saktë dhe se ekspertët kanë konstatuar tanimë ndërhyrje në zërin e videos, nivelin e dëgjimit jo në parametrat e duhura. “Videoja, një manipulim i pastër. Afera me ngjyra politike. Ndërhyrje me një program në laptop”, ishin disa nga pretendimet e avokatëve. “Të gjitha këto çështje kanë të bëjnë me një vijë dhe qëndrim qorrsokak ku ka hyrë Prifti dhe vërtetojnë se kjo çështje ngrihet mbi manipulimin e pastër dhe një skenar që përbën një aferë dhe komplot me ngjyra politike, ku më vonë në do paraqesim fakte për këtë skenar”,- theksoi avokati Spartak Braho. Sipas tyre, Meta nuk e ka mohuar takimin me Priftin. Ndërkaq, nuk ka zgjatur as një orë pritja e Priftit, i cili u shpreh se “Nuk më trembin kërcënimet e avokatëve të djallit”. Në këtë mënyrë i është përgjigjur ish-ministri i Ekonomisë Dritan Prifti, deklaratës së avokatëve të Ilir Metës, që e akuzuan atë për shpifje dhe për komplot politik me video-përgjimin. Prifti tha se nuk trembet nga asnjë kërcënim në botë, ndërkohë që akuzoi ekspertët shqiptar se gënjyen opinionin publik duke shtrembëruar drejtësinë. “Nuk më trembin kërcënimet e avokatëve të djallit. Nuk më tremb asnjë kërcënim në botë. Ekspertët e videos gënjyen publikun dhe shtrembëruan drejtësinë”,- ka thënë Prifti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›