E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokatët erdhën, por prapë seanca dështoi

Në Gjykatën e Tiranës u regjistrua seria e radhës e dështimit të procesit gjyqësor për tragjedinë e Gërdecit. Kësaj here nuk kanë munguar avokatët, por njëri prej anëtarëve të trupit gjykues.

Në seancën e sotme pritej të vijonte leximi i konkluzioneve hetimore për rastin nga ana e hetuesve, dosje e cila është voluminoze prej 500 faqesh. Aktualisht, prokurorët kanë lexuar një pjesë të konkluzioneve, duke  publikuar detaje për çështjen si për ideimin, ngritjen dhe funksionimin e ish- fabrikës së demontimit të municioneve luftarake në Gërdec, shpërthimin në të, etj.

Të pandehurit në këtë proces akuzohen si përgjegjës për ngjarjen e ndodhur në 15 mars të vitit 2008 në ish- fabrikën e demontimit në fshatin Gërdec të Tiranës, kur si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm humbën jetën 26 persona, ndërsa u plagosën shumë të tjerë. Shpërthimi shkaktoi edhe shumë dëme materiale. Procesi për çështjen "Gërdeci, pas një maratone seancash, tani i është drejtuar fundit. Pas konkluzioneve të prokurorisë, Gjykata e Tiranës do të shpallë vendimin e saj. /Start/

                                                                                             2011-10-26 15:09
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›