E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokatët fusin në kaos proceset në Gjykatën e Krimeve të Rënda



Avokatët prej kohësh kanë futur në kaos Gjykatën e Krimeve të Rënda. Çdo ditë nga 5-6 gjyqe që përcaktohen pothuajse të gjithë shtyhen për shkak të mungesës së mbrotësve. Të njëjtin fat pësuan dje edhe procesi për masakrën e Cërrikut edhe procesi penal ndaj Ilir Pajës. Në të dyja rastet shkak ishte mungesa e avokatëve. Në procesin e masakrës së Cërrikut kolegji penal tentoi ta vijonte seancën duke caktuar një avokat kryesisht. Mirëpo dy prej avokatëve të tjerë janë larguar nga salla duke detyruar kështu gjyqtarët të shtyjnë procesin në një seancë tjetër. Procesi gjyqësor ndaj bandës së Cërrikut po përpiqet të zbardhë ngjarjen e rëndë të vitit 1997 ku mbetën të vrarë 6 policë. Në këtë proces janë marrë me cilësinë e të pandehurit Llazar Bicja, Met Bozi, Arian Toska, Roland Sota (Xhepaxhiu), Alban Toska, Skënder Cani, Tomorr Buzani, Bujar Buzani, Entel Gashi. Këta persona, shumë prej tyre të arrestuar vitin që shkoi nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, akuzohen ndër të tjera për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese në bashkëpunim". Ndërsa Ilir Paja sipas prokurorisë akuzohet se ka tentuar të shtypë me automjetin e tij punonjësin e policisë, Bledar Haxhimali, i cili po e ndiqte në përpjekje për ta arrestuar. Paja, mjaft i njohur edhe në shtetin italian, ku ka mundur të arratiset dy herë, do të përballet në këtë proces gjyqësor me akuzën e vrasjes për shkak të cilësive të veçanta dhe armëmbajtjes pa leje. Dosja mban numrin 28 dhe është dërguar në gjykatë veçmas një procedimi tjetër për Pajën, që flet për krimet e tij në shtetin italian. Në Shqipëri Ilir Paja akuzohet për veprën penale të “vrasjes për shkak të cilësive të veçanta mbetur në tentativë”. Paja aksidentoi rëndë një agjent të skuadrës së operacioneve speciale, i cili mori pjesë në aksionin për kapjen e të shumëkërkuarit. Gjatë aksionit të policisë beratasi Paja mbeti i plagosur rëndë dhe u trajtua për një kohë të gjatë në Spitalin e Burgut në Tiranë. I shumëkërkuari nga Drejtësia italiane dhe ajo gjermane mori një plumb në afërsi të zemrës.

Padia e Avokatit të Popullit, shtyhet seanca dje në Kushtetuese

Shtyhet seanca që pritej të zhvillohej dje në Gjykatën Kushtetuese me palë Avokatin e Popullit për ndryshimin e ligjit të mbivendosjeve. Burime pranë kësaj gjykate shpjeguan se shkak është bërë mungesa e relatorit të çështjes. Në kërkesë padinë e bërë në Kushtetuese, Avokati i Popullit ka arsyetuar se nene të caktuara të dy ligjeve për hipotekat si dhe tre udhëzime të posaçme të kryeministrit, e kanë kthyer hipotekën në një institucion jashtë rendit Kushtetues, ndërsa liritë dhe të drejtat e pronarëve janë tërësisht të pambrojtura dhe lehtësisht të cenueshme. “Në mënyrë të sforcuar, dhe në kundërshtim jo vetëm me Kushtetutën, por edhe me vetë ligjin përkatës organik, me dy paragrafe të nenit 10, që kontestojmë, këto zyra, nga organe që mund të quhen “banka”, të evidentimit, të mirëmbajtjes, përditësimit e të ruajtjes të titujve të pronësisë së paluajtshme dhe transaksioneve, që përveç të qenit pronë private, është edhe pasuri kombëtare dhe faktor real i thithjes së investimeve, janë shndërruar në organe administrative që kanë të drejtën e heqjes së pronës dhe si rrjedhojë mund të konsiderohen strukturë administrative antikushtetuese”, -konkludon Avokati i Popullit.

30 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›