Ministri Vasili, takim me grosistët farmaceutik
Barnat e rimbursueshme do të shpërndahen që në datën 1 janar. Kjo është një nga pikat e marrëveshjes së Ministrisë së Shëndetësisë dhe Grosistëve Farmaceutikë, të cilët paraqitën një kërkesat e tyre në lidhje me pakënaqësitë ndaj sistemit farmaceutik. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, priti në takim një përfaqësi të grosistëve farmaceutik për të diskutuar në lidhje me shqetësimet e paraqitura prej tyre. Ministri i Shëndetësisë, i vlerësoi të drejta kërkesat e tyre dhe u ra dakord për një zgjidhje të pjesshme të problemeve. Një ndër çështjet që u ra dakord është që të përgatitet lista e re e barnave që rimbursohen brenda vitit 2009, që të fillojë të zbatohet, që në datën 1 Janar 2010. Njëkohësisht, Ministria e Shëndetësisë do të marrë masa për shlyerjen e borxheve që spitalet u kanë kompanive. Sipas Vasilit, në të ardhmen do të institucionalizohet bashkëpunimi midis palëve duke rënë dakord që të organizohen takime dypalëshe tremujore, me qëllim që problemet që dalin, të kapen që në fillim duke u dhënë dhe zgjidhjet përkatëse.
Mbrojta e mjedisit, Tafaj dhe Mediu në konferencën e edukimit të fëmijëve
Si pjesë e një programi shkollor, të zbatuar nga Ministria e Arsimit dhe Ministria e Mjedisit, në 250 shkolla të Shqipërisë, me fokus ndërgjegjësimin dhe përgjegjshmërinë ndaj mjedisit, fëmijët po mësojnë sjellje të reja se si të mbrojnë mjedisin dhe ta mbajnë më të pastër dhe më të shëndetshëm ambientin që i rrethon. Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, ministri i Mjedisit Pyjeve dhe Menaxhimit te Ujërave, Fatmir Mediu, Ambasadori i UNICEF-it në Shqipëri, Delf Palm, dhe Ambasadori i Mbretërisë së Holandës, Henk G.C van den Dool, u mblodhën dje në një takim të organizuar nga UNICEF-i, për promovimin e projektit të përbashkët për mbrojtjen e mjedisit të quajtur “CLEEN” (Child Led Environmental Education Iniciative). Projekti CLEEN është një projekt i përbashkët midis Ministrisë së Mjedisit dhe Ministrisë së Arsimit dhe mbështetet nga UNICEF-i dhe Mbretëria e Vendeve të Ulëta. CLEEN është një projekt që ka përfshirë edukimin mjedisor në shkollat e ciklit të ulët. Ai ndihmon fëmijët të kuptojnë rëndësinë e një mjedisi të mbrojtur, nxit sjellje pozitive dhe inkurajon aktivitetet e ndërmarra nga vetë fëmijët. Në kuadër të kësaj iniciative është zhvilluar një kurrikul për mjedisin, ka filluar një fushatë për sjellje të përgjegjshme ndaj mjedisit si dhe do të shpërndahen grante të vogla shkollave për aktivitete mjedisore.
30 Shtator 2009