E Shtunë, 31 Tetor 2026

I vë flakën shtëpisë pasi bashkëshortja i kërkon divorcin



Një kryefamiljar i ka vënë “benzinën” shtëpisë së vetë, pasi e shoqjai kishte kërkuar divorcin në Gjykatë. Ilir Tufollari u hakmor ndaj bashkëshortes e cila kërkoi hapjen e procesit gjyqësor për divorc duke i vënë zjarrin shtëpisë, por duke tentuar që ta paraqiste djegien e banesës si një rastësi. Ngjarja ndodhi në lagjen Babrru në periferi të Tiranës kur Ilir Tufollari, 46-vjeç i ka vënë zjarrin banesës e tij. Forcat e policisë mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe pas hetimeve të para zbuluan se zjarri ishte vënë me dashje nga kryefamiljari. Pas marrjes në pyetje të pjesëtarëve të familjes rezultoi se 46-vjeçari ishte në proces gjyqësor për të kryer divorcin nga bashkëshortja e tij. Kështu për tu hakmarrë ndaj gruas ai i ka vënë zjarrin shtëpisë me qëllim që ajo të mos merrte asgjë kur të largohej. Ndërkohë që kjo hakmarrje brenda familjes i ka kushtuar prangat Tufollarit i cili u arrestua për veprën penale të “shkatërrimit të pronës me zjarr”.
E kaluara
Nëse “gërmon” lidhur me të kaluarën e Ilir Tufollarit, del se në raportimet e hershme mediatike të vitit 2003 ai rezulton se është arrestuar edhe në këtë vit për “tentativën e vrasjes së bashkëshortes”. Asokohe vetëm 40 vjeç, Tufollari u bë objekt i një hetimi të thellë policor lidhur mbi shkaqet që e çuan atë drejt një akti të dhunshëm për mbytjen e bashkëshortes. Pas disa javëve hetim policia shpalli në vitin 2003 njoftimin se kishte arrestuar Ilir Tufollarin pasi kishte tentuar të vriste të shoqen e vetë për arsye xhelozie dhe në një gjendje të traumatizuar kishte kryer disa veprime të dhunshme ndaj saj duke tentuar dhe mbytjen e nënës së fëmijëve të vetë. Po në këtë vit policia ia referoi dosjen prokurorisë, por duket se Tufollari është liruar vetëm pak muaj më vonë.
Precedentët
Vetëm 10 ditë më parë një rast i ngjashëm ndodhi në fshatin Fushë Milot të rrethit të Kurbinit. Arben Doda, 40 vjeç, në gjendje të dehur ka nisur të debatojë me të shoqen e në gjendje të acaruar ai i vuri flakën banesës. Bashkëshortja e tij me dy vajzat e mitura kanë arritur të dalin në kohë, të ndihmuara edhe nga fqinjët e tyre. Pas ngjarjes, 40-vjeçari ka mundur të largohet, ndërsa policia që arriti në vendin e ngjarjes e shpalli atë në kërkim. Sipas dëshmitarëve, në mes të flakëve, gruaja ka mundur të nxjerrë dy fëmijët e saj. Zjarrfikëset e sinjalizuara për ngjarjen arritën në vend, por gjithçka ishte shkrumbuar. Tashmë familja Doda ka mbetur në qiell të hapur, ndërsa kryefamiljari është shpallur në kërkim për shkatërrim të pronës. Në vendin e ngjarjes mbërritën edhe një grup zjarrfikësish anglezë, të cilët ndodhen në Laç duke trajnuar homologët e tyre.

30 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›