Procesi “Remzi Hoxha”. Dëshmia e Loshajt, Gjykata në “dorë” të ekspertëve
Laureta Rryçi
Gjykata e Krimeve të Rënda ende nuk ka mundur të përgjigjet zyrtarisht nëse do ta pranojë kërkesën e prokurorisë për të dëgjuar një dëshmi me vidiokonferencë në procesin e Remzi Hoxhës. Gjatë seancës së djeshme kolegji penal u shpreh se mbetet ende çështje e pazgjidhur fakti se ekspertët e Albtelekomit nuk kanë marrë një vendim nëse nga ambientet e Gjykatës së Krimeve të Rënda mund të realizohet një videokonferencë me Avdyl Loshajn. Ky i fundit është një prej të rrëmbyerve së bashku me biznesmenin e zhdukur shqiptaro-maqedonasin, Remzi Hoxha. Seanca e radhës e procesit për rrëmbimin e zhdukjen e Remzi Hoxhës është shtyrë dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Shkak është bërë dëshmitarja e radhës pasi kishte në dokumentacion dy identitete. Dëshmitarja është paraqitur me dy emra Ilika dhe Ruzhdo Kërcini. Trupi gjykues ka ndërprerë seancën, duke kërkuar verifikimin e gjeneraliteve të dëshmitarës.
Kërkesa
Gjatë seancës së djeshme, trupi gjykues deklaroi se pyetjet e përpiluara nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe avokatët mbrojtës të ish-funksionarëve të SHIK-ut në akuzë Arben Sefgjini, Avni Koldashi dhe Ilir Kumbaro duhet të dorëzohen dy javët e para të tetorit. Nëse do të realizohet kërkesa e institucionit të akuzës do të shënonte dëshminë e dytë për drejtësinë shqiptare të marrë me anë të vidiokonferencës. Dëshmia e parë është bërë vite më parë në një nga proceset më të bujshme atë të vrasjes së deputetit Azem Hajdari. Në këtë procesi dëshmoi me vidiokonferencë nga Italia, Astrit Muldaka. Burime pranë Gjykata së Krimeve të Rënda shpjeguan dje se aparatura është blerë por lidhja varet nga teknikët për këtë arsye pa përgjigjen e ekspertëve edhe gjykata nuk mund të dalë në një vendim zyrtar në lidhje me këtë çështje. Shkak për këtë kërkesës është bërë fakti se Abdyl Loshaj, i cili jeton në Holandë, nuk pranon të rrëfejë në Shqipëri. Loshaj është shoqëruar vite më parë në ambientet e Shërbimit Informativ Kombëtar, dega Tiranë, dhe është hedhur nga kati i dytë i saj për t’u shpëtuar autoriteteve shqiptare. Loshaj u gjet nga policët e Drejtorisë së Policisë së Tiranës në territorin e tyre dhe u shoqërua më pas për në spital, pa ditur se si kishte përfunduar aty. Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro dhe të pandehurit e tjerë të kësaj çështjeje akuzohen edhe për urdhrin e dhënë për shoqërimin e padrejtë ndaj Loshajt dhe torturimin e tij. Ndërkohë që në listën e dëshmitarëve të akuzës janë edhe tre shtetas të tjerë, të cilët ndodhen në Itali, mes të cilëve edhe ish-shefi i SHIK-ut i degës së Tiranës kur u rrëmbye biznesmeni Remzi Hoxha, për të cilët prokuroria ka gjetur vendbanimet e tyre dhe kërkon realizimin e kontakteve për marrjen në pyetje.
Dosja
Për krimin e kryer gati 13 vjet më parë, në bankën e të akuzuarve janë 3 ish-SHIK-as; Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro dhe Avni Koldashi. Veç zhdukjes së biznesmenit shqiptaro-maqedonas, mbi supet e tre ish-SHIK-asve, Sefgjini, Koldashi dhe Kumbaro, rëndojnë dhe akuzat e rrëmbimit dhe torturimit të Ziso Kristopullit dhe Avdyl Loshajt. Remzi Hoxha u mor peng në tetor 1995 dhe që prej asaj kohe nuk u mësua asgjë për fatin e tij. Prokuroria akuzon tre ish-punonjësit e SHIK-ut se e kanë torturuar dhe më pas zhdukur atë. Sipas kërkesës për gjykim, katër të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në muajt shtator-tetor 1995, kanë rrëmbyer shtetasit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopulli dhe në mënyrë të dhunshme i kanë çuar në një ndërtesë në administrim të SHIK-ut, në vendin e quajtur Vain të rrethit Lezhë. Aty pengjet janë torturuar për disa ditë. Për shkak të torturave ka gjetur vdekjen biznesmeni kosovar Remzi Hoxha, trupi i të cilit ende nuk është gjetur. Sipas akuzës, Remzi Hoxha është rrëmbyer mesditën e datës 21 tetor të vitit 1995, në afërsi të firmës së tij të quajtur "Albatros", e cila prodhonte konstruksione duralumini. Zhdukja e tij është denoncuar publikisht edhe nga familja e Hoxhës.
30 Shtator 2009