Tuneli i misterit që mori jetën e 8 ushtarëve dhe oficerëve në vitin 1965
Tragjedia e 20 tetorit të vitit 1965 në malin e quajtur Kaptina e Martaneshit. Si gjetën vdekjen 6 ushtarë dhe 2 oficerë. Reagimi i ministrit Beqir Balluku
Pakkush e di ngjarjen tragjike të ndodhur 44 vjet më parë në radhët e Ushtrisë shqiptare, e cila ishte përfshirë në procesin e bunkerizimit të Shqipërisë. Pikërisht në majën më të lartë të malit në Martanesh, e njohur ndryshe me emrin Kaptina e Martaneshit, gjetën vdekjen 6 ushtarë dhe 2 oficerë teksa po punonin për të bashkuar dy tunele me njëri-tjetrin. Kol Ndreka, një nga oficerët e asaj kohe, sot në pension, thotë se tragjedia e 20 tetorit të vitit 1965 mbetet më e rënda në radhët e Forcave të Armatosura që nga koha e luftës. Ai rrëfen historinë, e cila, në ndryshim nga ngjarjet e tjera të këtij lloji, nuk pati ndëshkime, pasi ata që mund të konsideroheshin fajtorë gjetën vdekjen në thellësinë e tunelit. Korpusi i Forcave Ajrore të Burrelit kishte nisur punën për ndërtimin e tunelit, me të cilin synohej për t’u krijuar disa pika zjarri me armë të rënda në drejtim të ish-Federatës Jugosllave në Maqedoni. Dëshmitari i asaj ngjarjeje thotë se terreni ishte shumë i vështirë dhe realizimi i këtij projekti gjeostrategjik për atë kohë, konsiderohej tejet i vështirë. Por, ata që e nisën nuk arritën t’i bashkonin dy anët e tunelit, pasi gjetën vdekjen në momentet e fundit.
Para tragjedisë
Korpusi i Burrelit ishte ndër më të mëdhatë që kishin Forcat e Armatosura në repartet e dislokuara në zona të thella dhe të vështira, në gjithë përfshirjen e hapësirës tokësore të Verilindjes së Shqipërisë. Në tetorin e vitit 1965, në majën më të lartë të Kaptinës së Martaneshit punonin efektiva të Grupit Kundërajror të Korpusit për të ndërtuar nën tokë një vendkomandë që do të shërbente në kohë lufte për drejtimin e trupave. Ishin planifikuar dy tunele; njëri në drejtim të Verilindjes dhe tjetri në Lindje-Perëndim. Tunelet përshkonin zemrën e atij mali në një gjatësi afro 100 metra. “Pak ditë para tragjedisë, më 20 tetor, komandanti i Korpusit, gjeneral major Vehbi Hoxha, bashkë me mua, në pozicionin që kisha si përgjegjës i punës me rininë e Korpusit, duke inspektuar nëpër disa reparte që bënin punime mbrojtëse, u ndalëm edhe në objektin ku punonin efektivat e Kundërajrorit”, - thotë Kol Ndreka. “Hymë në tunelin, i cili duhej të bashkohej me atë që ishte hapur në anën lindore të malit”, - tregon ai. Sipas tij, gjenerali urdhëroi që të gjithë ushtarët dhe oficerët të nesërmen të linin punën dhe të ktheheshin në Burrel. “Koha është e keqe dhe mund të bllokohet rruga për në drejtim të Burrelit”, - iu drejtua Hoxha baterisë. Por, ushtari Vasil Kaçi i kërkoi komandantit që të rrinin edhe ca ditë, derisa të bashkoheshin dy tunelet. Me të njëjtën ide ishin edhe ushtarët e tjerë. Gjeneral major Hoxha u tha se duhej që të ktheheshin brenda datës 26 tetor në Burrel. “Deri më 25 tetor të dyja tunelet bashkohen”, - thanë njëzëri që të gjithë efektivat.
Tragjedia
Pasditen e 20 tetorit, nënoficeri minator shkoi në vendin ku pritej për t’u bashkuar dy tunelet dhe ndezi pesë kallëpe tritoli. Ndreka sqaron se “ai e dinte që kjo lëndë shpërthyese është e ndaluar për t’u përdorur në thellësi”. Komandanti i baterisë, kapiteni i parë Besnik Fejzollari, e kishte lejuar atë shkelje duke qenë i bindur se tuneli do të bashkohej më në fund.
Pak minuta më parë shumica dërrmuese e materialeve të fushimit ishin ngarkuar nga ushtarët në automjetin ushtarak, në përgatitje për marshimin e së nesërmes. Efektivat që kishte bateria ushtarake ishin nisur drejt tuneleve për të parë rezultatin e plasjeve të fundit dhe për të pastruar dherat e krijuar nga shpërthimet. Te dera e tunelit komandanti i baterisë mori kapotën e një ushtari për ta hedhur në supe, pa i futur krahët, pasi në thellësinë rreth 30 metra bënte shumë ftohtë. Ai porositi ushtarët që asnjë të mos futej në tunel pa dalë më parë ai. Drejtuesi i baterisë ka marrë fenerin që punonte me karbit dhe ka hyrë në thellësi të tunelit. Pas pak, njëri nga ushtarët ka thënë: “S’po e shoh më dritën e fenerit”. Kaq ka mjaftuar që të ngjallen dyshime. Më pas kanë lëshuar disa thirrje. Kur nuk kanë marrë përgjigje, është futur në tunel ushtari i parë i grupit, Haxhi Shahini. Ai e ka gjetur trupin e komandantit të përmbysur përdhe. Por nuk ka mundur që ta nxjerrë dot. Ndërsa të tjerët, që ndodheshin në pritje, jashtë tunelit, janë alarmuar dhe kanë shkuar me vrap për të nxjerrë shokët e tyre. Kapiteni i parë, Rodi Pipa, urdhëroi që të vendoseshin kundërgazet dhe menjëherë u fut në tunel; prej andej nxori ushtarin Vasil Kaçi. Ai ishte pa ndjenja. Pipa u kthye sërish për të nxjerrë komisarin që kishte gjetur vdekjen që në fillim, kur shpërtheu lënda plasëse. Ata që e nxorën trupin e tij kanë dëshmuar se kishte pasur mbi kurriz ushtarin Lutfi Pici. Për të nxjerrë prej tunelit komandantin dhe komisarin dhanë jetën edhe pesë ushtarë të tjerë, Vath Dedja, Enver Gafa e Petrit Pëllumbi, Haxhi Shahini dhe Besnik Fejzullahi. Ranë në gjendje kome edhe 12 ushtarë të tjerë, të cilëve iu dha ndihma e parë në spitalin e Korpusit që përdorej për kohë lufte. Më pas, po atë natë, të plagosurit u çuan me një automjet drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë. “Ndiej dhimbje edhe sot kur e kujtoj këtë ngjarje, pasi kam marrë me shkrim dore të gjitha dëshmitë e të mbijetuarve”, - thotë Kol Ndreka, duke pohuar se nuk i mbanin duart për të shkruar detajet e tragjedisë.
Pa fajtorë
Fjala mori dhenë shumë shpejt nga Kaptina e Martaneshit në Tiranë. Ndreka tregon se “ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku, komunikoi në mënyrë tejet të ashpër me komandantin e Korpusit, Vehbi Hoxha, kur ende nuk ishte marrë informacion i plotë rreth ngjarjes: “Ju, bashkë me shtabin, do të mbani përgjegjësi të rëndë për atë që ka ndodhur. Është ngjarja më e jashtëzakonshme që i ndodh ushtrisë tonë”, - tha me zërin therës ministri. Më pas, ish-ushtaraku kujton detajet e komunikimit mes Beqir Ballukut dhe Vehbi Hoxhës:
- Njoftoni prokurorin e Korpusit që të arrestojë menjëherë komandantin e grupit!
- Nuk ka qenë në vendngjarje, pasi ka një fatkeqësi në familje.
- Të ndalohet komisari!
- Ka rënë në tunel, duke u përpjekur për të nxjerrë ushtarin.
- Të ndalohet zëvendëskomandanti i grupit!
- Ai ka humbur jetën i pari.
- Po kush ka mbetur i gjallë nga ju, o Vehbi Hoxha?!
Ai e ndërpreu bisedën duke lënë receptorin e telefonit hapur.
Më vonë ai rifilloi komunikimin aty ku e la: “Ngjarja me grupin Kundërajror të Korpusit të Burrelit është shumë e hidhur për ushtrinë tonë. Por kjo ngjarje do të trajtohet me dy anët e saj, pa lënë jashtë vëmendjes disiplinën e rregullin që të tilla ngjarje të mos përsëriten më”, - përfundon rrëfimin e tij Kol Ndreka. Ai thotë se dy oficerët dhe tetë ushtarët u përcollën për në banesën e fundit dhe më pas u nderuan nga Presidiumi i Kuvendit Popullor dhe Ministria e Mbrojtjes. Portretet e tyre i gdhendën në faqen e malit dhe u ngrit një muze enkas në nderim të tyre.
Ish-ushtaraku pohon se kjo ngjarje mbetet e paharruar. “Pas pak ditësh përkujtojmë 44-vjetorin e rënies së tyre në detyrë, dhe sot pakkush e di se një ditë tetori ranë në krye të detyrës 8 ushtarë e oficerë për të ndërtuar bunkerët dhe tunelet e asaj kohe”, - përfundon historinë e tij Kol Ndreka.
VIKTIMAT
Selman Peposhi
Vath Dede
Petrit Pëllumbi
Lutfi Pici
Enver Gafa
Haxhi Shahini
Todi Pipa
Besnik Fejzullahi
30 Shtator 2009