Bllokonin vend parkimet publike, në hetim dy pronarë lokalesh
Dy pronarë lokalesh do të hetohen nga policia pasi kanë penguar qarkullimin e mjeteve të transportit në rrugën pranë lokaleve të tyre. Burime nga policia thanë se F. S, 39-vjeç, lindur në Berat dhe banues në Tiranë si dhe S.C, 47-vjeç lindur në Shkodër dhe banuese në Tiranë akuzohen për veprën penale të “pengimit të qarkullimit të mjeteve të transportit”. Sipas policisë, ditën e hënë rreth orës 12.00, në rrugën “Ismail Qemali”, përballë piceri “Era”, pronarët e lokaleve të mësipërme kanë ngushtuar rrugën për interesa vetjake, duke vendosur karrige, tavolina si dhe disa vazo në brendësi të rrugës duke vështirësuar qarkullimin normal të automjeteve. Drejtuesit e mjeteve kanë kërkuar ndihmën e policisë për të zhbllokuar plotësisht rrugën duke detyruar oficerët e policisë së komisariatit nr.2, të mbërrijnë menjëherë. Në vendin e ngjarjes u bë këqyrja, fiksimi dhe fotografimi i tyre.
Vrasja në ditën e zgjedhjeve, vetëdorëzohen dy vëllezërit autorë
Tre muaj pasi u akuzuan për vrasje, dy vëllezërit kanë vendosur të shkojnë vetë në qeli. Vëllezërit nga Fieri, Romeo Braka 21-vjeç dhe E.Braka 17-vjeç u vetëdorëzuan dje në policinë e Durrësit pasi ishin shpallur në kërkim për vrasjen e ndodhur ditën e zgjedhjeve më 28 qershor. Ngjarja për të cilën akuzohen dy vëllezërit e rinj ndodhi në sheshin e fugonave në Durrës kur ata qëlluan për vdekje pas një sherri për parkimin e makinave, Dritan Nezën. Policia mundi të identifikonte autorët e dyshuar të vrasjes dhe t’i shpallte ata në kërkim ndërsa nuk kishte mundur t’i gjente. Por puna e policisë është lehtësuar sot kur ata kanë vendosur të shkojnë vetë tek ata.
Nxënësit shkaktojnë djegie dhe ndotje, drejtoresha i denoncon
Djegin substanca misterioze në shkollë, drejtoresha alarmon policinë. Ngjarja ka ndodhur në shkollën 9-vjeçare “26 Nëntori” në Tiranë kur drejtoresha Vidish Krentja ka konstatuar një aromë mbytëse që vinte nga ambientet e brendshme të shkollës. Menjëherë drejtoresha e shkollës ka lajmëruar policinë e cila ka mbërritur për të sqaruar rrethanat e ngjarjes. Burime nga policia thanë se katër nxënës të kësaj shkolle, Xhuljano K, 15-vjeçe, Donald M, 14-vjeç, Jani N, 14-vjeç dhe Xhorxhi B, 14-vjeç kishin hedhur dhe djegur një substancë të pa përcaktuar ende, e cila lëshonte aromë të pakëndshme. Policia ka marrë në pyetje katër miturit të cilët nuk kanë dhënë detaje mbi substancën që kishin djegur duke shtuar se nuk e dinin se çfarë ishte. Ndërkohë ndaj nxënësve nisën hetimet në gjendje të lirë për shkak të moshës së mitur, për veprën penale të “prishjes së qetësisë publike”.
30 Shtator 2009