E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Avokatët harrojnë profesionin dhe bëhen pjesë e pasurive të paligjshme”

30-08-2012 / Gazeta 55

Ligj i ri për ndëshkimin e avokatëve që zvarrisin pafund proceset gjyqësore
 
Këshilli i Ministrave miratoi dje një ligj të ri për ndëshkimin e avokatëve që zvarrisin me qëllim proceset gjyqësore. Kryeministri Berisha u ndal gjerësisht në projektligjin për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”, ku u shpreh se qeveria respekton dhe vlerëson kontributin e tyre të çmuar në mbrojtje të interesave të qytetarëve, por, është bërë evidente në mënyrë të përsëritur në disa procese, ka prej tyre që trupëzohen, që harrojnë profesionin, kodin profesional, etikën dhe trupëzohen me klientin, bëhen pjesë e shpirtit dhe pasurive të tij të paligjshme.
“Sabotojnë në mënyrën më kriminale, më të papranueshme proceset gjyqësore vetëm e vetëm se është e dobët mbrojtja që u bëjnë dhe atëherë përpiqen të shpëtojnë nga dënimi, serial killer, banditë nga më të rrezikshmit në Shqipëri dhe Evropë, duke shtyrë procese gjyqësore në afate, përtej të cilave ato nuk mund të zhvillohen. Këto nuk janë tipari kryesor i avokatisë në Shqipëri. Këto janë një pakice e vogël dhe ky ligj me konsultën më të mirë ndërkombëtare iu jep këtij grupi të vogël pamundësinë për të abuzuar siç kanë abuzuar në përpjekjen mafioze të dështimit të një seri proceseve, për të cilat ka interes e mbarë shoqëria shqiptare si dhe qytetarët e lënduar, të dëmtuar nga këto procese”, u shpreh Berisha.
Në këtë kontekst, kryeministri garantoi se ligji në fjalë i hartuar me konsultën më të mirë ndërkombëtare iu jep këtij grupi të vogël pamundësinë për të abuzuar, me interesat e qytetarëve dhe të vendit. “Pra ligji, duke garantuar tërësisht veprimtarinë fisnike të nderuar të avokatëve dhe unë prapë i bëj thirrje drejtuesve të Dhomës së Avokatëve se në rast se Dhoma e Noterëve mban qëndrime, edhe këta zotërinj nuk duhet të lejojnë që një grusht i vogël avokatësh të  njollosin punën e shkëlqyer që bëjnë shumica  e tyre. Pra kanë dhe ata tagrin tu heqin licencën, kanë dhe ata tagrin të mbrojnë Urdhrin e tyre nga individë me zero ndërgjegje profesionale”, tha ai.
 
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›