Rama, bllokmen dhe bllokator
Pinjolli i nomenklaturës enveriste është shndërruar sot në bllokatorin e aspiratës së shqiptarëve për rikthim në familjen perëndimore. Edi Rama shkon në Internacionalen Socialiste si një trashëgimi e Kominternit, por edhe si i certifikuar në listën e korrupsionit, prej qeverisjes kleptokrate prej 12 vitesh në bashkinë e Tiranës
Armët e Skënderbeut do kthehen në muzeun kombëtar me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë
Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, kryeministri Sali Berisha trajtoi fillimisht çështjet që kanë të bëjnë me përmbushjen e 12 rekomandimeve të integrimit. Duke iu referuar dy ligjeve të rëndësishme siç janë ligji i nëpunësit civil dhe administratës shtetërore, me të cilin plotësohet një nga kërkesat e BE për statusin dhe ligjit për Gjykatën e Lartë, shefi i ekzekutivit tha se “ky i fundit është bllokuar nga bllokatori konstant i integrimit, zoti Edi Rama”.
Kryeministri u ndal veçanërisht në dy projektligje, atë “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore” dhe projektligjin “Për nëpunësin civil”.
Duke i vlerësuar ligjet tejet të rëndësishme për plotësimin e njërës prej kërkesave të parashtruara para qeverisë shqiptare, kryeministri theksoi se pavarësisht bllokimeve të vazhdueshme në parlament të ligjeve me rëndësi jetike, qeveria do të bëjë gjithçka për përmbushjen e detyrimeve të saj, ndaj integrimit të vendit.
“Çështjet më të rëndësishme të kësaj mbledhje janë një seri ligjesh dhe vendimesh të cilat kanë të bëjnë me përmbushjen së pari të detyrimeve të qeverisë dhe të mazhorancës të obligimeve për statusin e anëtarësimit dhe këtu janë dy ligje shumë të rëndësishme me të cilat njëra nga kërkesat plotësohet dhe ky është ligji i nëpunësit civil dhe administratës shtetërore. Ndërkohë ligji për gjykatën e lartë që është edhe ai një nga kushtet është dërguar në parlament, por që është bllokuar nga bllokatori konstant i procesit të integrimit, zoti Rama, që sot merr pjesë në Internacionalen Socialiste, por që e vërteta është që ai sillet sikur merr pjesë në Kominternin apo në Internacionalen Komuniste. Sepse të shkosh atje si bllokator i procese integruese je i vetmi në këtë forum të nderuar. Shkon natyrisht duke pasur përgjegjësinë e rëndë, duke qene i regjistruar në librin e zi evropian dhe botëror të korrupsionit, sepse bllokove dhe imunitetin në datën 6 gusht, por dua të them këtu se qeveria është e vendosur të bëjë gjithçka për kapërcimin, për përmbushjen e detyrimeve të saj në radhë të parë, të cilat janë këto ligje që ne i dërgojmë, ndonëse ligji i nëpunësit civil që ne dërgojmë kërkon 3/5 dhe duhet të bëjë një koment lidhur me këtë ligj”, u shpreh Berisha.
Duke u ndalur posaçërisht në ligjin për nëpunësin civil, kryeministri bëri të ditur ai është hartuar me një ekspertizë 4 vjeçare të kompanive prestigjioze të kontratuara nga BE. Duke e vlerësuar shumë të përshtatshëm hartimin e tij në konsolidimin e mëtejshëm të këtij shërbimi, kryeministri sugjeroi se duhen marrë parasysh edhe praktikat më moderuara të disa vendeve perëndimore, në të cilat ky shërbim është i ndarë nga veprimtaria politike.
Sipas tij, shërbimi civil do mbetet apartiak, ndërsa e ilustroi këtë me vendimin e Sekretares së Shtetit, Hillary Klinton e cila për hir të funksionit të rëndësishëm që mban, nuk do të marrë pjesë në Konventën e Demokratëve, e Presidentit Obama.
“Ky ligj është hartuar me një ekspertizë 4 vjeçare të kompanive të kontratuar nga BE. Është një ligj i shkëlqyer që konsolidon më tej shërbimin, por disa ndërhyrje janë të domosdoshme. Ndonëse në ligj për hir të së vërtetës ekspertët nuk kanë sugjeruar një ndarje të këtij shërbimi nga politika, unë mendoj se në politikën e konsoliduar të disa vendeve perëndimore, kjo ekziston dhe ne duhet ti përmbahemi kësaj praktike sepse është interesi më i mirë i këtij shërbimi, sepse ky shërbim është një pasuri e madhe kombëtare dhe mirë është që ky shërbim të qëndrojë jashtë betejave politike. Çështja e përkatësisë partiake është një privacion, sigurisht, por meqenëse disa vende e kanë, mendojmë që ti përmbahemi. Ata të cilët pranojnë të jenë pjesë e shërbimit civil të mos kenë përkatësi partiake. Sigurisht që ata votojnë, sigurisht që kanë preferencat e tyre partiake. Dua tu jap një shembull, po lexoja dje një shkrim ku thuhej se Sekretarja e Shtetit Hillary Klinton nuk do të marrë pjesë në Konventën e Demokratëve, e Presidentit Obama dhe kjo meqë ai post është politik, por ky ishte një xhest i kësaj diplomateje të shkëlqyer. Edhe ne traditën e Sekretarit të Shtetit, nuk merr pjesë në eventet partiake, në mënyrë që të paraqittë sa të jetë e mundur më shumë bipartizan. Natyrisht sekretarja Klinton u shpreh se do të votojë dhe jam i bindur se do të zgjidhet Presidenti Obama. Natyrisht posti i Sekretarit të Shtetit është tërësisht politik. E mora këtë shembull për të motivuar ndoshta edhe për disa vite tek ne, që shërbimi mund të qëndrojë apartiak dhe mund të qëndrojë jashtë fushatave elektorale, sepse do të dëmtohej. Angazhimi në fushata elektorale dhe në veprimtaritë e partive politike, këtë shërbim do ta lëndonte”, tha ai.
Për sa i përket projektligjit “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, kryeministri u shpreh se ligji i hartuar me një ekspertizës të gjerë, i jep një bazë ligjore të re funksionimit të administratës publike, e cila ka rëndësie jetike për vendin.
Kryeministri theksoi se të dyja këto ligje qartësojnë kriteret e punësimit në këto shërbime, duke i dhënë atributet përkatëse punonjësve të shërbimit civil dhe punonjësve të administratës publike dhe duke vlerësuar meritën si një kriter të rëndësishëm në këtë proces. “Në mënyrë jo të shpeshtë, por sigurisht ndodh që individë që kanë studiuar në universitet më të mira, që kanë bërë një seri punimesh shkencore me një impakt të madh i gjejnë dyert të mbyllura. Është e domosdoshme që një akt i veçantë të parashikojë të gjitha dyert e hapura për ta në universitet në administratën publike dhe në shërbimin civil. Dhe këto ligje duhet të marrin detyrimisht dhe marrin parasysh këtë kriter”, tha më tej kryeministri.
Gjithashtu në mbledhjen e Qeverisë u vendos me dy vendime procedura e kthimit të armëve të Skënderbeut në muzeut kombëtar me rastin e 100 vjetorit, në një kohë të caktuar, që shqiptarët mund t’i vizitojnë, t’i shohin nga afër, armët e prijësit të tyre të përjetshëm.