E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokatët mbrojtës mbajnë peng gjyqet e të fortëve

 

Këtë javë në gjykatën e krimeve janë shtyrë të gjitha proceset ndaj të ashtuquajturave banda kriminale

TIRANË- Mungesa e avokatëve mbrojtës, ka sjellë bllokimin e proceseve më të bujshme gjyqësore të hapura në Gjykatën e Krimeve të Rënda për disa nga të ashtuquajturat “organizata kriminale”, të cilat kanë vepruar vite më parë në Shqipëri, duke u bërë një fenomen shqetësues për ecurinë dhe mbarëvajtjen e proceseve gjyqësore. Java që lamë pas, u shoqërua nga dështime të njëpasnjëshme të seancave në ngarkim të anëtarëve të disa bandave, si ajo “Durrësit”, “Cërrikut” apo dhe “Lushnjes”, të cilët akuzohen për një sërë episodesh të rënda kriminale, mes tyre, dhe vrasje të ndodhura gjatë dhe pas vitit 1997, në qytete të ndryshme të vendit. Shkak i dështimeve të seancave është bërë mosprezenca në sallën e Gjykatës e përfaqësuesve të mbrojtjes ligjore të të pandehurve. Të kontaktuar nga ATSH, gjyqtarë nga Gjykata e Krimeve të Rënda, që po shqyrtojnë këto procese, kanë fajësuar palën mbrojtëse për dështimin e seancave në ngarkim të këtyre Bandave. Për evitimin e situatës, shpjegojnë gjyqtarët, Gjykata ka proceduar edhe me ndryshimin e përfaqësuesve të mbrojtjes ligjore, si në procesin për "Bandën e Durrësit", kur togat e zeza, caktuan një grup të ri për mbrojtjen e të akuzuarve si anëtarë të kësaj bande. Gjithashtu, sipas tyre, Gjykata, përmes shkresave zyrtare, i është drejtuar Ministrisë së Drejtësisë si dhe Dhomës së Avokatisë, që të marrin masat për avokatët që neglizhojnë proceset. Nga ana tjetër, mësohet se, Ministria e Drejtësisë ka hartuar një projektligj, i cili parashikon qartësisht përgjegjësitë në profesionin e Avokatit. Në bazë të këtij projektligji, pritet të evitohet kjo praktikë problematike, që haset sot në Gjykata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›