Rrufeja lë pesë mijë banorë pa drita dhe ujë
Komuna Allkaj në Lushnje është ankuar në administratën shtetërore por nuk ka marrë asnjë përgjigje
LUSHNJE- Më shumë se pesë mijë banorë në komunën Allkaj të rrethit Lushnje kanë rreth një javë pa ujë të pijshëm dhe energji elektrike dhe askush nuk e ka marrë mundimin që t’i ndihmojë. Shkak është berë rënia e rrufesë një jave me parë në kabinën e rrjetit elektrik që furnizon banorët e kësaj komune dhe që prej një jave njerëzit po vuajnë për ujë të pijshëm dhe energji elektrike. Ata janë ankuar pranë administratës së operatorit të sistemit të shpërndarjes, por me gjithë premtimet se situata do ndryshojë shpejt, fshati vazhdon i zhytur në errësirë dhe mungesën e gjatë të ujit të pijshëm. Një nga banorët e fshatit Toshkëz të kësaj komune tha se “po heqim lemerinë duke kërkuar ujë në ato familje që kanë hapur puse, por pak janë ata që të hapin dyert disa herë në ditë”. Nga komuna e Allkaj kanë shkuar disa punonjes elektrikë pranë kabines ku rrufejaka shkrumbuar elektromotorin dhe janë kthyer pa ndryshuar asgjë. Elektricistët u kanë thënë banorëve se që të kthehen dritat në fshat si më parë duhet zëvendësuar elektromotori i djegur me një të ri, por që të kryhen keto punë duhet një investim që kushton shumë lekë. Punonjësit e OSSH e pranojnë se ka defekt në kabinë, por nuk japin garanci se kur do rregullohet elektromotori i djegur nga rrufeja e ditëve të fundit. Kjo i ka irrituar edhe me shumë banorët dhe thonë se mungesa e gjatë e dritave ka lënë pa ujë edhe komunën e Bubullimës me më shumë se pesë mijë banorë për disa ditë me radhë.