Avokatët nisin grevën, për pagesat
Mbrojtësit ligjorë që mbrojnë në emër të shtetit personat që s kanë para për t'u mbrojtur në gjykatë s'janë paguar nga korriku 2009
Sajmir Visha, kreu i Shoqatës së Avokatëve, thotë se Ministria e Drejtësisë ka afat për shlyerjen e detyrimeve deri më 8 prill
TIRANË- Rreth 40 avokatë kryesisht apo siç njihen ndryshe "avokatët falas", që caktohen nga policia, prokuroria dhe gjykata për mbrojtjen e një personi gjatë fazave të ndryshme të një procesi penal, bojkotuan dje proceset hetimore dhe gjyqësore në shenjë proteste për mos pagimin e detyrimeve ndaj tyre.
Kryetari i shoqatës së Avokatëve Kombëtarë Penalistë, avokati Saimir Visha dhe disa prej emrave të këtyre avokatëve kryesisht që nuk pranuan të identifikohen thanë dje se ata nuk kanë marrë pjesë në asnjë seancë gjyqësore apo marrje në pyetje të ndonjë personi nën hetim apo të akuzuar.
Sipas tyre, bojkoti i proceseve gjyqësore pritet të vazhdojë deri me 8 prill, kur është vendosur afati i fundit për Ministrin e Drejtësisë dhe Zyrën e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor (ZABGJ-ja), për të kryer likuidimet. Të dy këto institucione, sipas kryetarit të shoqatës, i janë borxhli avokatëve kryesisht për mos pagimin e detyrimeve që nga korriku i vitit 2009, kohë kur për herë të fundit janë paguar për shërbimet e tyre këta avokatë.
"Që sot (dje) rreth 40 avokatë që ndodhen në listën e avokatëve kryesisht, kanë refuzuar të marrin pjesë në seancat gjyqësore që janë parashikuar për tu zhvilluar gjatë ditës së sotme. Ata do të bojkotojnë këto seanca deri më datë 8 prill, ditë kur është vendosur që institucionet shtetërore të reagojnë për pagimin e detyrimeve ndaj tyre"-tha avokat Visha.
Ndërkohë, disa prej këtyre avokatëve kryesisht të cilët kryejnë vetëm këto shërbime gjyqësore janë detyruar edhe gjatë ditës së djeshme të marrin pjesë në seanca gjyqësore të vleftësimit të arrestit dhe caktimit të masave të sigurisë. "Jam i detyruar që edhe sot (dje) të marr pjesë në seancat gjyqësore të caktimit të masave të sigurisë, pasi nëse nuk shkojmë kur na thërret gjyqtari ai nuk na cakton më këtë detyrë herë tjetër, çka na bën të mbesim pa punë.
Kështu që jam i detyruar të shkoi pasi gjyqtari më thërret në telefon "-tha njëra nga avokatët që ndodhej në katin e tretë të Gjykatës në pritje të shqyrtimit të seancës gjyqësore për vleftësimin e masave të sigurisë.
Ndërkohë, disa nga kolegët e saj që janë treguar më "trima" nuk kanë preferuar të shkojnë duke vazhduar me grevën e tyre. Sipas kryetarit të shoqatës, avokat Visha, nëse Ministria e Drejtësisë dhe ZABGJ-ja nuk lëshon fondet për pagesat e tyre, kësaj grevë do t'i bashkëngjiten edhe avokatët e tjerë në përkrahje të kolegëve.
Sipas avokatëve, për çdo seancë gjyqësore kur caktohet një avokat kryesisht paguhet me 600 lekë të reja, për seancat e caktimit të masës së sigurisë apo edhe atyre të sigurimit të provës paguhen me 3 mijë lekë të reja.
Ndërkaq, gjatë hetimeve paraprake, një avokat i caktuar nga prokuroria paguhet nga 3 mijë lekë deri në 4 mijë lekë të reja. Për një proces gjyqësor nga fillimi deri në fund pranë Gjykatës së Shkallës së Parë avokati paguhet me 16 mijë lekë të reja edhe nëse gjyqi zgjat deri në tre vite, kjo shumë i paguhet.
Ndërsa në polici, kur këta të fundit thërrasin një avokat për marrjen e ndonjë personi apo të mituri në pyetje, këta avokatë nuk paguhen fare për shkak se Ministria e Brendshme nuk e ka parashikuar këtë në buxhetin e saj.
Pagesat
Për një seancë 600 lekë
160 mijë lekë për një proces gjyqësor
Masa 3 mijë lekë të reja
Sigurime prove 3 mijë lekë të reja
Faza hetimore 3 - 4 mijë lek të reja
Kur thirrën në polici për të miturit nuk paguhen fare
DEKRETI
4 inspektorë të KLD-së e një avokat, bëhen gjyqtarë
TIRANË- Me propozim të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Presidenti i Republikës Bamir Topi, njëkohësisht kryetar i këtij Këshilli dekretoi dje paradite emërimet e pesë gjyqtarëve të rinj.
Ky fakt konfirmohet nga faqja zyrtare e internetit të Presidencës, ku njoftohen dekretet përkatëse për këta gjyqtarë, që deri me datë 1 prill 2010 kryenin detyrën e inspektorëve pranë KLD-së dhe avokatit. Kështu, sipas dekreteve përkatëse, Presidenti, me propozim të anëtarëve të KLD-së ka emëruar me detyrën e gjyqtarit katër inspektorët e KLD-së, shtetasen Elda Vrioni në Gjykatën e Tiranës, dhe shtetasit Astrit Faqolli, Alma Brati dhe Lazër Sallaku në Gjykatën e Durrësit. Gjithashtu, po me propozim të KLD-së Presidenti Topi ka dekretuar edhe emërimin e avokatit Petraq Curri me detyrën e gjyqtarit në Gjykatën e Durrësit. Këto emërime u bënë me datë 1 prill në mbledhjen e radhës të anëtarëve të KLD-së që votuan emrat e personave kandidatë për këto vendet vakante.
Gjithashtu, përveç këtyre emrave, KLD-ja në një mungesë transparence të theksuar edhe për mediat kreu edhe një sërë transferimesh të gjyqtarëve nëpër rrethe të ndryshme.
Emërimet
Elda Vrioni, me detyrë inspektore pranë KLD-së emërohet gjyqtare në Gjykatën Tiranës.
Astrit Faqolli, me detyrë inspektor pranë KLD-së emërohet gjyqtare në Gjykatën Durrës.
Alma Brati, me detyrë inspektore pranë KLD-së emërohet gjyqtare në Gjykatën Durrës.
Lazer Sallaku, me detyrë inspektor pranë KLD-së emërohet gjyqtare në Gjykatën.
Petraq Curri, avokat emërohet gjyqtar në Gjykatën e Durrësit