E Diel, 1 Nëntor 2026

Pa autor vrasja e 50-vjeçarit në Krujë

06/04/2010 Mendohet si motiv ai i xhelozisë

KRUJE- Asnjë person nuk është arrestuar ende për zbardhjen e krimit të ndodhur në Krujë më datë 1 prill. Dhjetëra persona janë shoqëruar në polici nisur edhe nga disa konflikte që ka pasur viktima me individë të ndryshëm. Arbeb Duka 50 vjeç, banor në lagjes “Sesere” të Krujës është qëlluar me automatik duke mbetur i vdekur në vend. Viktima sipas deklarimeve zyrtare të policisë së qarkut të Durrësit ka qenë më parë i dënuar dhe një nga pistat e hetimit mbetet pikërisht ky drejtim. Të njëjta pohime policore thonë se më së shumti dyshohet se Duka është vrarë për motive xhelozie. Në 3 ditët e pas ngjarjes janë shoqëruar në polici dhjetëra persona për të mbledhur dëshmi e fakte që do të hedhin dritë lidhur me autorin e krimit si dhe për motivet e vrasjes. Viktimës i është zënë pritë dhe mbi të është qëlluar me armë zjarri automatike. Autori i këtij krimi është “kujdesur” që Duka të mos shpëtojë nga plagët dhe sipas policisë mbi viktimën është qëlluar disa herë nga një distancë shumë e afërt. Nuk janë dhënë detaje lidhur me shkakun e dënimit të mëparshëm të shtetasit Arben Duka, por sektori i luftës kundër krimit ndaj personit në policinë e Durrësit dyshon se shkak për vrasjen e Dukës duhet të jetë bërë ndonjë motiv xhelozie. Në mesin e të shoqëruarve në polici janë edhe disa femra që nuk kanë lidhje gjaku e miqësie me viktimën e natës së 1 prillit në Krujë. Ndonëse policia ka thënë se ende nuk ka një emër të deklaruar të personit që ka shtënë me armë dhe bashkëpunëtorëve të tij, burimet thonë se agjentët janë fare pranë drejtimit të gishtit. Vrasësi mësohet se gjendet në Krujë dhe se ai mbahet nën vëzhgim si ditën edhe natën nga agjentët e policisë, të cilët ende nuk kanë vendosur për ta arrestuar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›