E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokatët njëzëri: Po del sekreti

Një nga debatet e djeshme në procesin gjyqësor kundër 28 të pandehurve që akuzohen për tragjedinë e Gërdecit ka qenë sekreti hetimor. Disa avokatë kanë sulmuar trupin gjykues, pasi sipas tyre, gjykata i ka dhënë të drejtën për t‘u njohur me aktet e dosjes disa avokatëve të caktuar kryesisht. "Në bazë të ligjeve nuk lejohet që një avokat që nuk është legjitimuar nga gjykata të marrë aktet e dosjes. Kjo që keni realizuar është shkelje e procedurave penale dhe si e tillë konsiderohet vepër penale. Duhet të merren masa që këta avokatë të mos marrin asnjë akt hetimor, pasi ne avokatët e legjitimuar kemi firmosur për sekretin hetimor", thanë njëzëri avokatët, duke u ngritur njëri pas tjetrit dje në sallën e gjyqit. Reagimet kanë qenë të forta aq sa trupi gjykues është detyruar të shtyjë seancën gjyqësore, për t‘i dhënë kohë avokates Denada Selmani për t‘u njohur me aktet e dosjes. "Më thoni zoti kryetar i trupit gjykues nëse avokatja e caktuar kryesisht njeh dispozitat ligjore për të cilat akuzohet i pandehuri Shkëlzen Madani. Jam i sigurt se nëse do e pyesni, ajo nuk do t‘i përgjigjet dot këtyre pyetjeve", tha avokati Vladimir Meçi. Më pas trupi gjykues iu drejtua avokates Selmani, e cila në atë kohë po fliste në telefon. Avokatja, pas tërheqjes së vëmendjes, tha se ka studiuar dosjen dhe është e gatshme të mbrojë të pandehurit Shkëlzen Madani. Por edhe pas kësaj deklarate avokatët kanë reaguar, ndërsa trupi gjykues është tërhequr për vendim. Pas pesë minutash është vendosur shtyrja e seancës gjyqësore me arsyetimin për t‘i lënë më shumë kohës avokates për t‘u njohur me dosjen.

S.Ç

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›