Avokatët “rrëzojnë” ekspertët e Gërdecit
Tiranë- Largimi i familjarëve të viktimave të shpërthimit në Gërdec nuk e qetësoi aspak situatën në këtë proces të ndezur gjyqësor, pasi avokatët e të pandehurve kërkuan të mos dëgjohen ekspertët e thirrur për të dëshmuar, pasi kanë konflikt interesi. Avokati Maksim Haxhia, që mbron në proces interesat e të akuzuarit kryesor Mihal Delijorgji, tha se kreu i grupit të ekspertëve është në konflikt interesi, pasi 20 ditë pas tragjedisë së Gërdecit djali i tij është punësuar si IT në Prokurorinë e Përgjithshme. Po ashtu, avokatët kundërshtuan edhe praninë e një tjetër eksperti, i cili, sipas tyre, ka qenë pjesë e Forcave të Armatosura dhe është angazhuar në këtë çështje vetëm pak ditë pas largimin nga kjo detyre. Pas tërheqjes rutinë të trupit gjykues, erdhi edhe vendimi i cili rrëzonte kërkesën e avokatëve mbrojtës, duke lejuar ekspertët të dëshmonin. Por edhe kjo pjesë e procesit nuk është zhvilluar e qetë, pasi avokatët kanë ngritur herë pas here pretendimin se ekspertët që kanë kryer akt-ekspertimin tekniko-ushtarak kanë devijuar përgjigjet për pyetjet e bëra nga avokatët. Gjatë përgjigjeve të rreth 140 pyetjeve, në seancë janë zhvilluar debate të shumta mes avokatëve nga njëra anë dhe ekspertëve, prokurorëve e gjykatës nga ana tjetër. Debatet kanë vazhduar edhe pas dëshmisë së ekspertëve, por këtë radhë për një tjetër dëshmi, që duhet të ishte marrë që prej tetorit të vitit të shkuar nga kjo gjykatë. Bëhet fjalë për amerikanin Patrik Henri, ortak i Delijorgjit dhe administrator i kompanisë “SAC”. Gjykata kishte caktuar seancën e djeshme për pyetjen e shtetasit amerikan, por duke qenë se Departamenti i Drejtësisë nuk kishte sjellë asnjë konfirmim, pyetja e tij është shtyrë për në datën 15 prill. Patrik Henri është kërkuar nga avokatët si dëshmitar në këtë proces, pasi roli i tij është mjaft i rëndësishëm në këtë çështje. Nëpërmjet letërporosisë ai ka sqaruar për llogari të hetimit mënyrën e ndërtimit të Gërdecit, por edhe pse kontraktori direkt i Ministrisë së Mbrojtjes dhe ndërmarrjes “Meico”, Henri, është lënë jashtë hetimit. Gjatë seancës së djeshme i pandehuri Ylli Pinari kërkoi nga përfaqësuesit e akuzës të bëjnë kujdes në shqyrtimin e çështjes, pasi siç tha ai, për disa urdhra për fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec nuk janë përdorur firmat e tij. “Mos hidhni baltë mbi emrin tim”, -tha Pinari. Seanca u mbyll në atmosferë debati në pritje të dëshmisë së Patrik Henrit, i cili nuk ka dhënë asnjë konfirmim që prej tetorit të vitit të shkuar, edhe pse publikisht gjykata ka deklaruar se e ka njoftuar disa herë dëshmitarin.