E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uidhers, përrallë për Berishën

 

BLEDAR HOTI

Në kulmin e polemikave mes qeverisë shqiptare dhe Shteteve të Bashkuara të Ame-rikës, kjo e fundit i kujton Kryeministrit Berisha nëpërmjet një fabule se ngrënia e tepërt të shkakton “dhimbje stomaku”. Ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhërs zgjodhi një vizitë me nxënës të shkollës “Fan Noli” për t’iu përgjigjur maxhorancës se pushteti i tepërt nuk ishte një gjë e mirë. Duke e ilustruar edhe me disa piktura ambasadori amerikan nisi të tregojë “Një të diel sapo dielli lindi, doli dhe një krimb shumë i vogël, i uritur. Ai hëngri të hënën një mollë, por nuk u ngop, të martën hëngri dy dardha, por prapë nuk u ngop. Të mërkurën hëngri tre kumbulla, por prapë nuk u ngop, të enjten katër luleshtrydhe, por prapë nuk u ngop. Të premten krimbi hëngri pesë portokaj, por sërish ishte shumë i uritur. Të shtunën ai hëngri, më dëgjoni me shumë kujdes, një copë keku me çokollatë, një akullore, një copë djathë, një copë sallam, një lëpirëse dhe një luleshtrydhe. Hëngri shumë. Atë natë kishte dhimbje stomaku”. Më tej, sipas tij ngrënia e tepërt, veç dhimbjes së stomakut e “shndërroi” krimbin në flutur. “Ditën tjetër ishte sërish e diel dhe krimbi hëngri vetëm një gjethe të gjelbër dhe u ndje shumë më mirë. Por tani ai nuk ishte më krimb i vogël, por një krimb i shëndoshë. Ai ndërtoi një shtëpi të vogël rreth vetes ku qëndroi dy javë. Ai i gërvishti mbulesën rreth vetes dhe doli, që krimbi ishte shndërruar në një flutur shumë të bukur”. Kjo fabul e treguar nga ambasadori Uidhërs u bë pikërisht pak orë pasi maxhoranca do të votonte në parlament ligjin “Për hapjen e dosjeve”. Përplasja në distancë e ditës së djeshme mes qeverisë dhe SHBA-ve ishte e dyta brenda dy ditëve. Të dielën pasdite, pas një konference për shtyp, ambasada amerikane sqaroi një deklaratë të Kryeministrit Berisha, i cili deklaroi se gjatë të dielës nuk kishte pasur asnjë bisedë me nënsekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Daniel Fried. Ndërkohë, sipas zëdhënësit të Ambasadës amerikane “Nënsekretari i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Daniel Fried, ka komunikuar me Kryeministrin Berisha të shtunën në orën 18.00”. Pas këtij reagimi, zyra e shtypit e Kryeministrisë ka sqaruar se biseda ka ndodhur pikërisht të shtunën në mbrëmje dhe gjatë bisedës është folur edhe për dosjet. “Zyra e shtypit e Kryeministrit Berisha bën të ditur se në përgjigje të një pyetjeje të bërë nga media, të kontrolluara nga opozita, Kryeministri është përgjigjur se nuk ka pasur sot, ditën e diel, një bisedë me nënsekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës z. Daniel Fried në lidhje me ligjin për dosjet. Zyra e shtypit njofton se Kryeministri Berisha ka zhvilluar ditën e shtunë në orën 18:00 pasdite një bisedë telefonike me nënsekretarin Fried. Biseda është zhvilluar në një frymë të hapur dhe miqësore dhe në të është diskutuar për dosjet dhe për probleme të tjera me interes të përbashkët”, thuhet në deklaratën e zyrës së shtypit të Berishës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›