Avokati Zef Nikaj denoncon shkeljet antiligjore të organit të akuzës

Deputeti Basha refuzon të bëhet pjesë e shkeljes ligjore të Ina Ramës e Arben Krajës
Ministri Luzim Basha ka refuzuar të bëhet dje pjesë e shkeljes së ligjit nga ana e Prokurores së Përgjithshme Ina Rama dhe prokurorit vartës të saj Arben Kraja. Ministri i Jashtëm ka refuzuar të certifikojë këtë shkelje, ndërsa nuk është paraqitet para prokurorit Arben Kraja, pas kërkesës së tij për ta thirrur e pyetur Bashën, si të pandehur për dosjen e hetimeve për aksin rrugor Durrës - Kukës. Para prokurorit, mesditën e djeshme është paraqitur avokati i Luzim Bashës, Zef Nikaj, I cili në më pak se 10 minuta që ka qëndruar në zyrën e prokurorit Arben Kraja, i ka shpjeguar atij veprimet antiligjore, në rastin e dërgimit të fletë-thirrjes për klientin e tij, kur gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës, me një vendim e ka pezulluar vazhdimin më tej të hetimit të zvarritur pa shkak të kësaj dosje. Ndërsa mësohet se avokat i Lulëzim Bashës u takua në Prokurorinë e Përgjithshme me prokurorin Arben Kraja, por burime nga akuza bëjnë me dije se avokat Nika nuk ka firmosur asnjë dokument të servirur nga prokurori Kraja. Pas daljes nga prokuroria, Zef Nikaj, avokati i Luzim Bashës, ka denoncuar hetimin antiligjor të Prokurorisë së Përgjithshme, duke shpjeguar edhe refuzimin e klientit të tij, ndaj organit të akuzës.
“Në vazhdim të reagimit tonë ligjor të bërë të ditur disa ditë më parë ndaj veprimeve flagrante të prokurorisë, në kundërshtim me ligjin, në respektim të dispozitave ligjore, sot si përfaqësues ligjor i Lulzim Basha, u paraqita pranë zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm për ti paraqitur të gjitha shkeljet ligjore që përmbajnë aktet procedurale të njoftimit bazuar në nenin 130, pika 3 të Kodit të Procedurës penale në mënyrë të shkruar i kam paraqitur prokurorit të çështjes të gjitha parregullsitë ligjore të veprimeve të tyre”, ka shpjeguar avokati Zef Nikaj, qëllimin e vërtetë të paraqitjes së tij par prokurorit Arben Kraja.
Më pas avokati ka shpjeguar edhe ndërmarrjen ligjore që ai dhe klienti i tij kanë ndjekur për t’i prerë rrugën kësaj sjellje antiligjore të prokurorisë.
“Për këto parregullsi ju bëj me dije se kam kërkuar pavlefshmërinë e akteve proceduriale edhe përpara gjykatës së Shkallës së Pare të Tiranës për informimin tuaj, nuk kam pasur asnjë lloj njoftim akuze apo marrje cilësie të pandehuri për klientin tim, Lulzim Basha dhe nuk ka asnjë akt ligjor që ti ketë atribuuar Bashës, cilësinë e të pandehurit në bazë të nenit 34 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale”, u shpreh më tej avokati Zef Nikaj.
Hetimet ndaj ish-ministrit të Transporteve, Lulëzim Basha dhe të disa funksionarëve të lartë të drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve nisën pas një denoncimi të bërë në prokurorinë e Tiranës për shpërdorim të vlerave financiare në disa prej akseve të rrugës Durrës- Kukës.
Pak ditë më parë dy prej zyrtarëve të lartë shtetërorë që ishin nën hetim për këtë çështje u liruan nga akuzat pasi prokuroria nuk gjeti prova që do të provonin fajësinë për Armand Telitin dhe ish-drejtoreshën e Rrugëve, Lejla Saraçi.
...