Kuvendi miraton buxhetin prej 5.2 miliardë dollarë për vitin 2009

“Buxheti i vitit 2009, buxheti social i rritjes së pagave dhe pensioneve”
Parlamenti ka miratuar dje nen për nen në seancë plenare, buxhetin e vitit 2009, me 76 vota pro, 34 kundër dhe 4 abstenime. Përpara se të votohej mazhoranca dhe opozita kanë debatuar në lidhje me projektin, ku parashikohen administrimi i financave publike. Debati është përqendruar rreth Projekt-buxhetit të vitit 2009, diskutimet rreth të cilit çuan në shkëmbim replikash mes deputetëve të mazhorancës dhe atyre të opozitës.
Berisha
Kryeministri Sali Berisha, deklaroi se buxheti i vitit 2009 është një paketë e mirëfilltë sociale në mbështetje të qytetarëve dhe në asnjë vend tjetër nuk ka pasur rritje kaq masive të pagave dhe pensioneve sa parashikon buxheti i 2009. “Falënderoj opozitën për deklaratën që ka paraqitur në parlament, e cila në thelb është një mbështetje pikë për pikë e këtij buxheti. Bëhet fjalë për një paketë sociale. Në asnjë kontinent nuk ekziston buxhet, që parashikon rritje të tillë rrogash, pensionesh, ndihmë ekonomike, sa ç’paraqet buxheti që u miratua në parlament. Le të gjejnë një qeveri të vetme dhe të thonë se ka parashikuar për vitin 2009, këtë rritje pensionesh, që ka parashikuar qeveria ime. Le të gjejnë një qeveri që të kenë rritur rrogat në këto vlera. Le të gjejnë një qeveri që ul sigurimet shoqërore, nga data 1 maj me 5%. Le të gjejnë një qeveri e cila nis tani në këto ditë 200 projekte në rrugë të fshatrave dhe komunave të Shqipërisë. Le të gjejnë një qeveri e cila dyfishon buxhetin për arsimin. Le të kërkojnë dhe të gjejnë një qeveri që do të investojë mbi 28 miliardë lekë mbi këtë buxhet”, nënvizoi kryeministri.
Buxheti i 2009-s, konsiderohet si buxheti më i madh historikisht i miratuar nga parlamenti shqiptar, që parashikon dyfishim të pagave dhe pensioneve vitin e ardhshëm dhe përqendrim maksimal të investimeve në infrastrukturë.
Opozita
Opozita e cila seancën e shkuar plenare u largua nga salla në momentin që votohej buxheti, seancën e djeshme ka shpërthyer në kontestime të cilat kanë ardhur nga deputeti socialist Arben Malaj njëkohësisht anëtar i Komisionit të Ekonomisë në PS, i cili ka shtruar propozimin e opozitës “për një paketë stimuluese dhe antikrizë me 1 % të GDP-së është mbi shifrat aktuale të buxhetit dhe me parime fikse që këto fonde të japin efekt të menjëhershëm”.
Deputeti tjetër i opozitës Erion Brace i ka kërkuar kryetares së Kuvendit shtyrjen e votimit për buxhetin, në mënyrë që ai t’i kthehet dhe njëherë për shqyrtim Komisionit të Ekonomisë për të diskutuar disa amendime shtesë të propozuara këto nga opozita.
Kërkesës së opozitës i është përgjigjur ministri i Ekonomisë Ridvan Bode i cili ka argumentuar se “fakti që rritja fillon jo nga 1 korriku por nga 1 maji do të thotë që ne rrisim faturën shtesë sociale për pagat, për pensionet, për ndihmën, për të gjitha llojet e paaftësisë që paguhen nga buxheti i shtetit dy muaj përpara, kjo do të thotë së për vitin 2009 ne do të kemi 1/6 e efekteve më të larta nga një vit normal, sepse fatura dhe shuma e konsumuar do të jetë të paktën 15 % më e lartë në krahasim me vitin 2008, dhe të rrisësh faturën sociale në një vit 15 % deri 20 % nuk është rritje e vogël, por është rritje e qenësishme dhe shumë e madhe, sepse është përtej rritjes ekonomike nominale, është dy herë më tej rritjes ekonomike nominale, kur niveli i inflacionit është i ulët”, u shpreh ministri Bode.
...