E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbi domosdoshmërinë e institucionalizimit të mendimit politik në vend

Ndërkohë që e majta tashmë ka disa kohë që e ka një fondacion që pretendon se i shërben institucionalizimit të mendimit politik të krahut që përfaqëson, prej kohësh ideja e ndërtimit të institucioneve që do i shërbenin elaborimit të mendimit politik të djathtë e atij të të gjitha krahëve politikë në vend, tashmë duket se mund të hidhet pa frikë në tavolinën e projekteve të së ardhmes së afërt.

Institucionalizimi i mendimit politik në vend, do të përbënte një hap madhor në stadin që jemi, pasi janë pjekur kushtet e janë mundësitë që krahët më tradicionalë të politikës shqiptare të kenë mundësinë t’u japin jetë më shumë ideologjive të tyre udhëheqëse, duke i përçuar ato tek brezi i ri.

Edukimi politik, tej asaj çka propagandonte për më shumë se 45 vjet Partia e Punës e ish-diktatori shqiptar, përbën një risi për terrenin shqiptar, tashmë sigurisht, parë nga një optikë tjetër.

Nëse do t’i referoheshim shembujve nga Europa, mund të themi se Gjermania në këtë aspekt përbën atë më të mirin, pasi ky vend është ai që i ka kushtuar më shumë vëmendje edukimit të brezit të ri, duke i injektuar vlerësimin e normave më të larta politike, demokratike e ligjore për shoqëritë dhe individët që do të duhej të jetonin tashmë në kufinjtë e një bote të re, të pasluftës.

Duke e konceptuar si një fenomen në zhvillim e gjithmonë dinamik, në fillim, këtij procesi i parapriu një kërkesë imediate për denazifikimin e shoqërisë, që në mënyra të ndryshme u aplikua në të dyja pjesët e vendit, tashmë të ndarë në zona pushtimi e që zgjati disa vjet me radhë.

Tashmë radha i kishte ardhur një procesi tjetër, me synime më të qarta e afatgjata: objektivi ishte edukimi politik i brezit të ri të gjermanëve, larg imazhit të ideologjisë naziste e çka është më e rëndësishme; larg asaj çka ofronte pjesa lindore e vendit dhe blloku komunist, me shabllonet e tyre amorfe ideologjike, moniste e antidemokratike.

Sigurisht se ishin amerikanët që me anë të ekspertëve, politikanëve dhe trajnuesve (shpeshherë vullnetarë) parashtruan domosdoshmërinë e kësaj rruge, duke sjellë me vete eksperiencat e tyre.

Por edhe eksperienca gjermane e viteve të Republikës së Vajmarit do të duhej të përfshihej në këto plane, në mënyrë që ato çka ishin dëshmuar të mira në atë periudhë, të arrinin të viheshin në dispozicion të brezave të rinj, me synimin për të rivitalizuar kështu edhe epokën me aromë demokratike të vendit të tyre, sado të shkurtër e modeste.

Kështu, një sërë fondacionesh të themeluara në kohë të ndryshme, tashmë i bëjnë jehonë ideologjive politike të fraksioneve (partive) parlamentare në Bundestagun Gjerman. Mënyra e financimit të tyre është gjithashtu një shembull për t’ u ndjekur, gjithsesi në forma e përmasa të përafërta në vendin tonë.

Friedrich Ebert është emri i ish-Presidentit të parë të Republikës së Vajmarit, dhe këtë emër sot mban fondacioni që përçon normat dhe vlerat e ideologjisë socialdemokrate moderne në vend e jashtë tij.

Si ideologji e realizuar në praktikë, ajo i ka fillesat në Gjermani me projektet e lëvizjet sociale të fundshekullit të 19-të, ndërsa njihet fakti se gjermanishtja asokohe ishte dhe "lingua franca" ndër majtistët e të gjitha krahëve në Europë, deri në momentin që Revolucioni bolshevik fitoi në Rusi, duke e radikalizuar, ndryshuar në vlera e degjeneruar praktikisht këtë ideologji.

Në krahun tjetër, Konrad Adenauer është emri i fondacionit që përçon vlerat e djathta kristiandemokrate gjermane, e që përbën ikonën e përpunimit të mendimit e veprimit politik të saj, duke përfshirë rrymat liberale të qendrës dhe ato progresiste konservatore e duke kombinuar vlerat politike tradicionale me ato moderne në vend.

Emri i babait të shtetit të ri gjerman dhe njërit ndër tri themeluesit e Europës së re, e ka bërë atë simbol të suksesit e ekspertizës më të besueshme edhe jashtë kufinjve të kontinentit.

Tashmë pas vizitave të krerëve të këtij fondacioni rreth dy muaj më parë në Tiranë dhe takimeve me kryeministrin Berisha, është arritur të merret premtimi se edhe në Tiranë do të kemi një përfaqësi të tyre për të asistuar në zhvillimet politike në vend, duke shtuar kështu gjeografinë e prezencës së tyre në rajonin tonë.

Pak a shumë në të njejtën kahje punon edhe Fondacioni Hanns Seidel, që mbështetet nga Bashkimi Kristiansocial bavarez, e që e ka prej vitesh një përfaqësi në vendin tonë.

Ndërkohë një sërë fondacionesh të tjera plotësojnë spektrin e kërkimeve, studimeve e thellimeve në mendimin politik në Gjermani, si një degë më vetë e edukimit (sidomos) të brezit të ri me normat, idetë e praktikat më të përparuara demokratike.

E veçanta e tyre është se ata të gjithë kanë një masë të qartë autonomie në veprimtarinë e tyre dhe shprehja “pranë” kësaj apo asaj partie, theksohet fort për të bërë dallimin nga ‘i” kësaj apo asaj partie.

Kjo, sepse angazhimi i resurseve njerëzore e më gjerë, në funksion të përmbushjes së detyrimeve që ata kanë marrë përsipër, e tejkalon militantizmin politik që në politikën reale aktive përfaqësoht nga partitë politike.

Partitë politike kanë në bazë të tyre angazhimin konkret militant - në kuptimin më të mirë të kësaj fjale – dhe përmbushjen e detyrimeve në sferën legjislative e ekzekutive në varësi të pozicionit të tyre (pozitë-opozitë), duke bërë jetë aktive politike e duke u shmangur në më të shumtën e kohës nga përçimi i normave e kornizave teorike të ideologjive që pretendojnë se përfaqësojnë.

Njohuritë mbi funksionimin e sistemeve politike, trendeve kontinentale e globale si dhe tematika të shumta të trajtuara në podiumet e tyre në rrafsh kombëtar e ndërkombëtar, kombinuar me eksperiencat praktike në vendin tonë, do të bënin të mundur kësisoj një angazhim më të dobishëm e më të mirëpërdorur të resurseve njerëzore e materiale në funksion të edukimit të brezit të ri me vlerat më demokratike botërore.

Identifikimi e njohja e krahëve politikë dhe zbërthimi i shtyllave bazë të funksionimit të tyre, janë njëra ndër detyrat që ata duhet të përmbushin, pasi anëtarësimi apo angazhimi direkt apo indirekt në një parti politike, duhet të bëhet si një dëshirë në radhë të parë, por edhe si pasojë e një procesi njohjeje e bindjeje se ajo çka ai apo ajo po përqafon politikisht, është vërtetë vizioni që ka kërkuar.

Përtej kësaj, duhet synuar në investimet që çojnë në thellimin e njohurive politike, duke e trajtuar këtë si domosdoshmëri, njësoj si trajnimet që shërbejnë për të përmirësuar performancën profesionale në fusha të ndryshme. Kjo do t’ u vinte në radhë të parë në ndihmë vetë deputetëve e politikanëve shqiptarë, e më pas edhe grupimeve të tjera shoqërore e moshore.

Sigurisht se prezenca e shumë NGO-ve e rrjeteve të shoqërisë civile ka bërë me të drejtë të ngrihet një farë skepticizmi rreth funksionit e rolit të tyre, por nëse burimet e financimit, roli dhe objektivat e tyre do të bëheshin vërtetë transparente, padyshim se ata do të ishin një ndihmesë në sferën e edukimit në përgjithësi e në atë të atij politik në veçanti.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›