Burrel, ndërpritet puna pas shpërthimit në minierë
Sipas mjekëve, dy prej metalurgëve të plagosur dolën nga spitali. Simon Picaku, dërgohet në Tiranë në gjendje të rëndë
Shpërthimi, pas rrjedhjes së llavës nga furra dhe bashkimit me ujin. Punëtorët: Furra, me defekt
BURREL-Pas shpërthimit të dy ditëve më parë tek furra e shkrirjes së kromit në uzinën e ferrokromit në Burrel, ku mbetën të plagosur tre metalurgë, dje është ndërprerë puna. Ndërkohë, dy prej të plagosurve, Simon Menga dhe Ahmet Salia, kanë dalë nga spitali, punëtori tjetër i plagosur Simon Picaku është dërguar në repartet speciale të spitaleve të Tiranës, pasi ka kaluar gjendje të rëndë.
***
Shpërthimi, sipas drejtuesve të uzinës, ka ardhur për shkak të pakujdesisë së punëtorëve, pasi furra nuk ishte në kushte të mira dhe për të duheshin ndërhyrje me financime. Por vetë metalurgët, pa dashur të identifikohen thonë se në këtë uzinë investimet kanë qenë të pandjeshme dhe se tek furra ku ndodhi aksidenti nuk është vënë asnjëherë dorë me investime, qoftë dhe minimale. Për të hetuar ngjarjen është ngritur dhe një grup hetimor që e ka këqyrur gjendjen në vend, ku është rindërtuar dhe skena e tërë shpërthimit. Sipas të dhënave paraprake, mendohet se shpërthimi ka ardhur si pasojë e rrjedhjes së një sasie minerali të shkrirë nga furra dhe bashkimi i llavës së nxehtë me ujin, si pasojë e pakujdesisë së një prej punonjësve të atyshëm. Gjithsesi, sipas specialistëve, defekti i furrës ishte i pranishëm prej kohësh. Në këtë sektor është kërkuar prej 5 muajsh të ndërhyhet në rikonstruksion të themeltë, por mësohet se një gjë e tillë nuk është bërë as nga kompania e parë që e kishte me koncesion, ashtu dhe kompania tjetër nënkontraktore po italiane, e drejtuar nga Mario Apoloni.
***
Dje gazetarët kanë pritur më kot prapa hekurave të portës kryesore të uzinës, pasi hyrja në të ka qenë e pamundur. Rojet private kanë kthyer këdo që është paraqitur tek dera, duke sqaruar gazetarët se është dhënë urdhër nga ana e administratorit Italian, që të mos lejohen të huaj brenda. I njëjti fenomen ndodh pothuaj në tërë sipërmarrjet e huaja të marra me koncesion, të cilët nuk japin informacione lidhur me situatën. Madje vetë punëtorët pranojnë se janë të detyruar të mos flasin, nëse duan të mbajnë vendin e punës, ndryshe dalin në rrugë. Në këto kushte, edhe vetë punëtorët e specialistët kanë zgjedhur heshtjen. E njëjta gjë ka qenë dhe atje ku aksidentet vazhduan në konvejer të pandalshëm në minierën e Bulqizës, apo minierat ndër malet krommbajtëse të Mat-Bulqizës.