Avokati i Fazlliç kundërshton sekuestrimet e prokurorisë
TIRANË- Avokati i Damir Fazlliç, Genc Gjokutaj, dorëzoi pranë Gjykatës së Shkallës së Parë kërkesë-padinë për kundërshtimin e vendimit të prokurorisë për sekuestrimin e llogarive bankare dhe pronave. Sipas kërkesë -padisë që paraditen e djeshme është hedhur në short, paditësi Damir Fazliç kërkon nga togat e zeza të deklarojnë si të paligjshëm vendimin e prokurorisë për sekuestrimin e pasurisë së tij në vendin tonë. “Paditësi Damir Fazliç, me anë të kërkesë-padisë me nr. 1419 të datës 22 tetor 2008, kërkon nga Gjykata që të kundërshtojë vendimin e Prokurorisë për sekuestrimin e pronave dhe llogarive bankare në emrin e tij dhe kompanive që ai drejton, si “Croën Acquisitions” sh.p.k.; “SRF Development” sh.p.k.; “Rompetrol-Albania”, sh.a.; “Virtu Acquisitions” sh.p.k.; “DF Trade Limited” sh.p.k.; dhe “Rompetrol Distribution Albania” sh.p.k.”-thuhet në kërkesë padinë e firmosur nga avokati Gjokutaj, i cili vetëm pak ditë më parë mori autorizimin e serbo-boshnjakut Damir Fazliç si përfaqësues i tij ligjor në Shqipëri. Sipas burimeve zyrtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, mësohet se pas kërkesës së depozituar nga avokati, kërkesë-padia është hedhur në short dhe për shqyrtim i ka rënë gjyqtarit Artan Broci, cili pritet të caktojë datën e shqyrtimit të seancës së parë gjyqësore.