E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda e Durrësit: Sali Berisha e Topalli të dëshmojnë në gjyq

Avokatët pretendojnë për politizimin e procesit. Dëshmia e Adriatik Colit irriton Lul Berishën e Indrit Doklen

TIRANË- Debat i ashpër në Gjykatën e Krimeve të Rënda për thirrjen e kryeministrit Sali Berisha, kryeparlamentares Jozefina Topalli dhe ish-ministrit të Brendshëm, Sokol Olldashi, si dëshmitarë në gjyqin kundër bandës së Durrësit. Ka qenë kërkesa e avokatëve të pesë prej të pandehurve në këtë proces gjyqësor, të cilët gjatë parashtrimit të kërkesave paraprake kanë kërkuar që në cilësinë e dëshmitarëve të thirren edhe kryeministri i vendit, kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli dhe ministri i Transporteve, Sokol Olldashi. Si shkak për thirrjen e tyre, avokati Dashnor Mullai ka përmendur deklaratat publike në fushata zgjedhore për arrestimin e “mafiozëve të Durrësit”, duke i përmendur me radhë emrat e të pandehurve nga Lulzim Berisha e deri tek Indrit Dokle. Avokatët kërkuan të merren në cilësinë e provës materiale edhe CD të mbushura me fjalimet e politikanëve të maxhorancës në parlament dhe spotet e fushatës zgjedhore të ish-kandidatit për bashkinë e Tiranës, Sokol Olldashi.

Duke i akuzuar zyrtarët më të lartë të shtetit shqiptar për politizimin e një procesi gjyqësor, avokatët kanë kërkuar dëshmitë e tyre në gjyq, duke debatuar me prokurorët dhe anëtarët e trupit gjykues. Pas këtyre kërkesave, trupi gjykues është tërhequr për këshillim dhe pas rreth 20 minutave, togat e zeza kanë dalë sërish në sallën e gjyqit duke lexuar vendimin e ndërmjetëm, që rrëzon kërkesën e avokatëve për thirrjen e pushtetarëve në cilësinë e dëshmitarëve. Ky vendim është kërkuar nga avokatët t’u dorëzohet me shkrim dhe jo vetëm me gojë, kërkesë kjo e realizuar nga gjykata. Me t’u kthyer në sallë, ka qenë prokurori Anton Martini ai që ka “acaruar” sërish avokatët dhe të pandehurit, pasi me leje të gjykatës ka kërkuar pyetjen e dëshmitarit të parë, të pandehurit me statusin e të penduarit, Adriatik Coli. Kjo kërkesë e prokurorit i ka irrituar avokatët dhe të akuzuarin si kreu i bandës së Durrësit, Lulëzim Berisha i cili ka kërkuar në sallën e gjyqit përjashtimin e gjyqtarit Gurali Brahimllari nga gjykimi i çështjes dhe ka lënë sallën e gjyqit, duke e cilësuar gjyqtarin si të njëanshëm në gjykim.

Të njëjtin reagim si Lul Berisha ka pasur edhe kreu tjetër i bandës së Durrësit, Indrit Dokle, duke u shprehur para gjykatës se: “kam nevojë të konsultohem me dy mbrojtësit e mi. Jam injorant, nuk e kuptoj këtë çka shkruhet këtu, prandaj kam mbrojtës ligjorë. Dy mbrojtësit e mi nuk do ta vazhdojnë procesin gjyqësor pa mua”-tha ai, duke lënë sallën e gjyqit. Pas largimit të tyre, të njëjtin veprim e ka bërë edhe i pandehuri Sardjan Sulejmani, ku menjëherë pas largimit të të pandehurve, sallën e kanë lënë edhe mbrojtësit e tyre ligjorë. Largimin e tyre, avokatët e kanë cilësuar si detyrim dhe zbatim të kontratës mes tyre dhe klientëve për mosvazhdimin e gjyqit, pa praninë e tyre. Pas braktisjes së sallës, gjykata ka vendosur t’i dërgojë Dhomës Kombëtare të Avokatisë një kërkesë për masë disiplinore ndaj mbrojtësve duke cilësuar se ata kishin shkelur etikën dhe kishin braktisur sallën e gjyqit në mënyrë demonstrative. Ndërsa seanca e radhës pritet që të dëshmojë i penduari i bandës, Adriatik Coli. Pas përfundimit të seancës gjyqësore, avokati i Lul Berishës, Arben Qeleshi, dorëzoi pranë Gjykatës kërkesën e firmosur nga klienti i tij për përjashtimin e kryesuesit të pesëshes gjykues, Gurali Brahimllari, kërkesë e cila është hedhur në short dhe do të shqyrtohet nga ish-kryetari i kësaj gjykate, gjyqtari Sandër Simoni. Sipas akuzës, të pandehurit në këtë proces janë 16 persona, të cilët akuzohen për një sërë veprash të rënda penale, ndër të cilat edhe disa vrasje, disa atentate e një pengmarrje, të cilat kanë ndodhur nga vitit 1998 deri 2005 në qytetin e Durrësit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›