Kodi Civil, ministrat rrëzojnë qeverinë
Mungesa e ministrave në sallë, nuk ka mundur të sigurojë votat për kalimin e ndryshimeve në Kodin Civil
TIRANË - Neglizhenca e ministrave të kabinetit qeveritar për të marrë pjesë në seancën e djeshme plenare, ka bërë të pavlefshëm vullnetin e shprehur nga të dyja krahët e politikës shqiptare për të votuar me konsensus projektligjin “Për disa ndryshime në Kodin Civil”. Pavarësisht se dy grupet e mëdha parlamentare, pra ai i PD-së dhe ai i PS-së, u shprehën parimisht pro këtij ndryshimi, projektligji i paraqitur për miratim ka rënë, pasi nuk ka mundur të marrë numrin 84 të votave, që kërkohet për të miratuar një ligj të tillë. Drafti nuk ka mundur të miratohet pasi ka marrë vetëm 77 vota pro, ndërsa 13 vota kanë qenë kundër dhe 7 abstenime. Determinues në rrëzimin e këtij drafti, ka qenë mungesa e 8 ministrave me të drejtë vote, prania e të cilëve do të siguronte edhe kuorimin e nevojshëm. Rezultati i djeshëm është bërë objekt i akuzave të ndërsjella midis demokratëve dhe socialistëve, të cilët kanë akuzuar njëri-tjetrin se nuk respektuan konsensusin e shprehur më parë në Komisionin e Ligjeve.
Socialistët
I menjëhershëm ka qenë reagimi i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, i cili nëpërmjet kryetares së vet, Valentina Leskaj, është distancuar nga përgjegjësia për rrëzimin e ligjit. Sipas saj, projektligji “Për disa ndryshime në Kodin Civil”, nuk mundi të marrë numrin e duhur të votave për shkak se një pjesë e mirë e ministrave të kabinetit qeveritar, përfshi edhe vetë kryeministrin Sali Berisha, nuk morën pjesë në votim. Kështu, Leskaj, ka bërë të ditur se, nga 11 pjesëtar me të drejtë vote në kabinetin Qeveritar në votimin e djeshëm, kanë marrë pjesë vetëm 3 prej tyre dhe, më konkretisht, ministri i Arsimit, Fatos Beja, ai i Mjedisit, Lufter Xhuveli dhe ministri i Bujqësisë Jemin Gjana. “Përsa i përket çështjes së Kodit, në votim ishin vetëm tre ministra. Pra, përveç mungesave të tjera, i mungonte dhe qeveria, e cila duhet të ishte aty për të plotësuar votat për të miratuar Kodin”, - tha Leskaj, në një reagim për mediat lidhur me këtë çështje. Por, sikur mos të mjaftonin vetëm mungesat e ministrave nga mazhoranca, kanë munguar dhe një numër i konsiderueshëm deputetësh. Nga rreth 80 deputetë që ajo ka aktualisht, pro projektligjit kanë votuar vetëm 53 prej tyre, ku, një pjesë e mirë e deputetëve të saj, siç janë demokristianët, por edhe deputetët demokratë, Spartak Ngjela dhe Gilman Bakalli, kanë votuar kundra. Interesant është fakti se, në votim, nuk kanë marrë pjesë as deputetët Edmond Spaho dhe Leonard Solis, pavarësisht se ishin në sallë.
Demokratët
Por argumente krejt të ndryshëm sjellin demokratët në lidhje me shkaqet e rrëzimit të këtij projektligji. Kështu, kryetari i grupit demokrat Astrit Patozi, në një reagim për mediat, ka akuzuar opozitën si përgjegjëse për rrëzimin e draftit për ndryshimin e Kodit Civil. Sipas tij, megjithëse socialistët ishin shprehur publikisht se do të votonin ndryshimet, disa deputetë të tyre votuan kundra këtij drafti. Por nga tabulatet e votimit rezulton se, nga grupi parlamentar socialist, kanë votuar pro 23 deputetë, ndërkohë që vetëm Marko Bello, Qemal Minxhozi dhe Raimonda Stefa, kanë abstenuar dhe kjo për shkak të qëndrimeve të tyre personale dhe jo politike. Por nga llogaritjet del qartë se edhe në rast se të tre këta deputetë do të kishin votuar pro, përsëri projektligji do të ishte rrëzuar, pasi nuk do mund të arrinte të merrte 84 vota. Draft i rrëzuar parashikonte që të detyronte personat që, nëpërmjet mitmarrjes, deformonin kryerjen e detyrës të paguanin dëmin e shkaktuar. Kësisoj, dëmi i shkaktuar nga veprimet korruptive, duhet të kompensohet në rastet kur i padituri ka kryer, apo ka autorizuar, aktin e korrupsionit.