E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grushta shefit të urgjencës në Ushtarak

Sërish dhunë mbi bluzat e bardha. Emiljano Bakia ka goditur me grushta mjekun Myftar Torba, duke e ngatërruar me një tjetër

TIRANË- Rreh mjekun e urgjencës, policia çon në qeli një 22-vjeçar. Një tjetër rast dhune kundër bluzave të bardhaka ndodhur dy ditë më parë, në urgjencën e Spitalit Ushtarak, kur shefi i kësaj urgjence, Myftar Torba, është qëlluar me grushta nga i afërmi i një pacienteje. Menjëherë është njoftuar për ngjarjen policia, e cila mbërriti pranë spitalit për të identifikuar dhe kapur autorin. Burime zyrtare nga policia thanë se brenda pak minutash zbuluan dhe mundën të ndalonin autorin e dyshuar të ngjarjes i cili është 22-vjeçari Emiljano Bakia. Ky i fundit u shoqërua në ambientet e komisariatit të policisë nr.3, ku pasi u mor në pyetje iu komunikua masa e ndalimit pasi akuzohet se ka dhunuar mjekun në krye të detyrës.

Ngjarja

Pasditen e së mërkurës, shefi i urgjencës së spitalit Ushtarak në Tiranë, Myftar Torba, ndodhej në krye të detyrës, kur është qëlluar me grushte nga një person. 22-vjeçari Emiljano Bakia është paraqitur në urgjencën e spitalit për të shoqëruar një vajzë, e cila e kishte krahun në allci, pasi e kishte thyer më parë. Ajo është paraqitur në urgjencën e spitalit për të hequr allcinë. Bakia është përballur me mjekun Myftar Torba i cili në atë moment ndodhej në urgjencë. Dyshohet se Bakia i ka kërkuar doktorit të kontrollojë krahun e vajzës dhe të heqë allçinë, por Torba i ka treguar se është një tjetër doktor përgjegjës për sëmundjen e pacientes dhe jo ai. Por kjo gjë duket se nuke ka bindur 22-vjeçarin i cili ka filluar të nervozohet. I riu ka nisur një debat me doktorin që sipas tij ai nuk po e kontrollonte pacienten. Pas fjalëve të ndërsjella, 22-vjeçari ka goditur me grushte mjekun Myftar Torba.

Policia

Për incidentin në urgjencën e spitalit Ushtarak është lajmëruar policia e cila mbërriti menjëherë për të identifikuar dhe kapur autorin. Efektivat e komisariatit të policisë nr.3, të cilët kanë në juridiksion zonën ku ndodhet spitali kryen menjëherë shoqërimin e 22-vjeçarit Emiljano Bakia që në bazë të deklarimeve të mjekut dhe dëshmitare është autori i ngjarjes. Ai u shoqërua në ambientet e komisariatit ku dhe u mor në pyetje. Burime nga policia thanë se në dëshminë e tij, Bakia ka deklaruar se mjeku nuk kontrolloi krahun e pacientes, ndaj dhe mes tyre nisi një debat që përfundoi me grushte mbi doktorin. Por ndryshe deklarojnë kolegët e Torbës, të cilët shprehen se ky i fundit është ngatërruar nga autori me një doktor tjetër. “Ka qenë një tjetër mjek që duhet të kontrollonte krahun e pacientes dhe jo Torba” -tha një mjek që ndodhej në urgjencën e spitalit Ushtarak. Mjekët e këtij spitali tregojnë se jo rrallë herë përballen me pacientë apo të afërm të tyre të cilët irritohen dhe u kundërvihen mjekëve me fjalë apo grushte. Ata kërkojnë më shumë mbrojtje, kryesisht gjatë orëve të natës, pasi përballen me persona që ndodhen në gjendje të dehur apo edhe persona të cilët shoqërojnë të sëmurët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›