Delijorgji caktoi Gërdecin, demontoi topa në vitin 2004
TIRANË- Mihal Delijorgji e njihte Gërdecin para shumëkujt në këtë vend. Në vitin 2004, në të njëjtin repart ai kishte demontuar topa për skrap, ndaj edhe pas refuzimit të Bërzhitës si zonë demontimi, nuk e pati të vështirë të zgjidhte një tjetër repart për ngritjen e fabrikës së vdekjes, atë të Gërdecit. Grupi hetimor i tragjedisë së Gërdecit ka arritur në përfundimin se zgjedhja e fabrikës së çmontimit është bërë nga Mihal Delijorgji, e më pas është miratuar nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. “Nga hetimet e kryera nga prokuroria ka rezultuar se pas nënshkrimit të kontratës mes kompanisë shtetërore MEICO dhe kompanisë koperturë, SAC për demontimin e municioneve të vjetra, Mihal Delijorgji ka filluar negociatat me ish-ministrin Mediu për caktimin e vendit ku do të kryhej ky demontim. Fillimisht kompania SAC ka kërkuar që punishtja të ngrihet në fshatin Bërzhitë, por nga kundërshtimet e ushtarakëve ky vend u anulua”,-thuhet nga grupi hetimor.
Sipas këtyre burimeve, ka rezultuar se me kërkesë të Mihal Delijorgjit, ish-ministri Mediu ka caktuar ish-repartin e tankeve në Gërdec për demontimin e municioneve, repart ky i njohur nga Delijorgji pasi në vitin 2004 kishte punuar aty. Në këtë repart, punëtorët e kompanisë tjetër të Delijorgjit, “Përparimi” sh.a. kanë kryer prerjen e topave të ushtrisë që më pas janë shitur si skrap. “Nga sekuestrimi i dokumenteve të kompanisë MEICO në zyrat e Ministrisë së Mbrojtjes ka rezultuar se Mihal Delijorgji, në vitin 2004 ka fituar tenderin për çmontimin dhe asgjësimin e topave të ushtrisë të nxjerra jashtë përdorimit. Të gjithë këto punime, presidenti i shoqërisë “Përparimi”sh.a. i ka kryer brenda ish-repartit të tankeve në Gërdec”,-thanë burimet e Prokurorisë së Përgjithshme.Për prokurorinë, edhe ushtarakët kanë përgjegjësinë e tyre në përcaktimin e Gërdecit si zonë demontimi, pasi nuk kanë kundërshtuar ngritjen e kësaj fabrike duke e kaluar në heshtje, ndryshe nga sa kanë vepruar për repartin e Bërzhitës.
Sipas burimeve pranë këtij grupi hetimor mësohet se asnjë nga ushtarakët e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, të drejtuar nga gjeneral Luan Hoxha dhe atyre të Forcave të Komandës së Bashkuar të drejtuar nga Shpëtim Spahiu nuk kanë dorëzuar asnjë shkresë apo dokument që kundërshtojnë ngritjen e kësaj fabrike, duke pranuar në heshtje punishten që pas shtatë muajsh solli vdekjen e 26 personave dhe plagosjen e mbi 300 të tjerëve. Grupi hetimor i Prokurorisë së Përgjithshme, prej disa ditësh po punon dhe analizon përgjegjësitë e ushtarakëve në këtë mes, duke hetuar dhe verifikuar të gjitha veprimet dhe mos veprimet e tyre në ngritjen dhe mbikëqyrjen e fabrikës së demontimit në Gërdec. Gjithashtu, mësohet se disa nga ushtarakët e Shtabit të Përgjithshëm dhe Forcës së Komandos së Bashkuar kanë vizituar disa herë para dhe pas ngritjes e fillimit të punimeve të çmontimit në Gërdec, duke dhënë përshtypjet e mira për punën që bëhej aty.Kalibrat, shkelje tjetër e Mediut
TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme, pas hetimeve shtatë mujore arrin të zbardhë një tjetër shkelje të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, në lidhje me tragjedinë e ndodhur në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec. Sipas burimeve nga prokuroria, Mediu dhe stafi i tij i ngushtë kanë kryer shkelje që në iniciativën e përpilimit të një Vendimi të Këshillit të Ministrave që më pas u miratua nga anëtarët e kabinetit të kryeministrit Sali Berisha, duke mos përcaktuar kalibrat e municioneve që lejohej të demontoheshin. Kjo shkelje ka vazhduar nga ish-ministri Mediu edhe në rregulloret dhe urdhrat e nxjerrë e që mbajnë firmën e tij, që nuk ka përcaktuar për kalibrin e armëve dhe municioneve që duhen demontuar duke i lënë shteg kompanisë “Albademil” të kryejë çmontimin e të gjitha kalibrave të municioneve që ndodhen në depot e ushtrisë shqiptare.
MASA E SIGURISË
“Vrasja masive”, Apeli lë në fuqi vendimin
TIRANË- Gjykata e Apelit në kryeqytet vendosi me kërkesë të prokurorisë të lërë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, që tre të pandehurit e arrestuar si përgjegjës për shpërthimet në Gërdec, Ylli Pinari të qëndrojnë në burg edhe për veprën penale të vrasjes masive. Sipas vendimit të gjykatës, pas ndryshimit të kualifikimit të veprës penale nga “shkelje të rregullave të sigurisë fizike për lëndë plasëse” në “vrasje në rrethana cilësuese të më shumë se një personi”, i ka detyruar prokurorët e çështjes të kërkojnë nga gjykata rivleftësimin e arrestit dhe ricaktimin e masës së sigurisë, pas asaj të dhënë më 20 mars të këtij viti me “arrest me burg”. Pas parashtrimit të provave dhe argumenteve të prokurorisë dhe pretendimeve të mbrojtjes për mungesë provash, gjykata vendosi të caktoi masën “arrest me burg” deri në përfundim të hetimeve për tre të pandehurit Delijorgji, Minxolli dhe Pinari, duke lënë njëkohësisht edhe vendimin e dhënë pak ditë më parë nga Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet.