E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokati i Krenar Ahmetit shtyn gjyqin

TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë, me kërkesë të avokatit mbrojtës të të pandehurve Krenar Ahmeti, Alfons Gjoni dhe Blenard Vathi vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për me datën 26 nëntor, pasi mbrojtësi ligjor i tre të pandehurve, efektivë të policisë nuk ishte njohur me aktet e dosjes që janë përpiluar nga prokurori i çështjes. Mesditën e djeshme, gjyqtari Martin Deda me hapjen e seancës gjyqësore, kërkoi nga palët të paraqesin kërkesat e tyre paraprake, para se organi i akuzës të lexojë kërkesën për gjykim. Vetë prokurori Ervin Karanxha u shpreh se nuk kishte kërkesa paraprake, por avokati i tre të pandehurve Agron Gurabardhi, kërkoi që seanca të shtyhet pasi nuk ishte njohur me dosjen. Gjyqtari Deda pranoi kërkesën e avokatit, por i tërheqin vërejtjen se faza hetimore ka përfunduar që para një muaji dhe dosja i ishte vënë në dispozicion nga organi i akuzës. Në sallën e gjyqit të Gjykatës së Shkallës së Parë ndodhej i pandehuri Krenar Ahmeti me detyrë shef i Policisë Rrugore në kryeqytet. Tre të pandehurit, më 17 maj të këtij viti në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë janë konfliktuar me një prokurore të Krimeve të Rënda dhe bashkëshortin e saj avokat, të cilët janë shoqëruar në polici me urdhër të shefit të Qarkullimit Rrugor të Tiranës, Krenar Ahmeti. Këta të fundit e kanë paditur Ahmetin dhe vartësit e tij për këtë incident.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›