Kastrati, Apeli mbyll përjetë në burg Qamil Rexhën
TIRANË- Gjykata e Apelit për Krime të Rënda lë në fuqi burgimin e përjetshëm për Qamil Rexhën, për rrëmbimin dhe vrasjen e mjekut Behar Kastrati, në korrik 2005. Togat e zeza të Apelit për Krime të Rënda, pas disa seancave gjyqësore, ku dëgjuan pretendimet e mbrojtjes dhe pretencën e prokurorit vendosën të lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, ku i pandehuri Qamil Rexha u dënua me burgim të përjetshëm, për organizimin e rrëmbimit dhe më pas ekzekutimin e mjekut Behar Kastrati natën e 7 korrikut të vitit 2005. Ndërkaq, për të pandehurin Abedin Rexha gjykata la në fuqi dënimin e tij me 25 vjet burg, e për Ibrahim Gecin u vendos dënimi me 20 vjet heqje lirie, me akuzën e bashkëpunimit në krim, duke e cilësuar se vuajtja e dënimit për tre të pandehurit duhet të bëhet në një institucion të sigurisë së lartë për shkak të rrëzikshmërisë që ata paraqesin.
Gjykata e Apelit, edhe pas debateve të shumta mes prokurorit të çështjes dhe avokatëve mbrojtës që kërkuan pafajësi, u bind se mjeku nga Hasi është rrëmbyer e më pas ekzekutuar në mënyrë çnjerëzore nga vëllezërit Rexha. Sipas vendimit të gjykatës, që tashmë ka marrë formën e prerë, arsyeja që i shtyu dy vëllezërit Rexha të hakmerreshin ndaj mjekut Kastrati mbetet ngjarja e marsit të vitit 1995, ku vëllai i dy të pandehurve ndërroi jetë nga ataku kardiak në Krumë dhe që familja Rexha mendonte se për këtë vdekje është fajtor mjeku Kastrati. “I pandehuri Qamil Rexha është ideatori i këtij rrëmbimi dhe më pas personi që ka kryer vrasjen e mjekut Kastrati, me ndihmën e vëllait të tij, Abedinit. I pandehuri Ibrahim Geci ka qenë personi që ka ndihmuar dy vëllezërit për rrëmbimin e mjekut, duke u treguar të gjitha lëvizjet e tij në Has para dhe gjatë ditës së rrëmbimit”,-thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda. Ndërkohë, në seancën e kaluar ishte prokurori i çështjes i cili gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare kërkoi nga gjykata dënimin e tre të pandehurve me po të njëjtën masë dënimi si edhe Shkalla e Parë.
Edhe në këtë proces të dytë, të pandehurit gjatë fjalës së tyre të fundit para togave të zeza kërkuan drejtësi dhe jo mëshirë, duke këmbëngulur për të disatën herë që ata nuk janë autorë të rrëmbimit dhe vrasjes së mjekut Behar Kastrati. Sipas vendimit, tre të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin e kanë vëzhguar, rrëmbyer dhe më pas vrarë mjekun Behar Kastrati natën e 7 korrikut të vitit 2005 pas mesnatës, duke konsumuar veprën penale të “rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit me pasojë vdekjen”, si dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake, municioneve dhe lëndëve plasëse”. Më pas ata e kanë vrarë mjekun Kastrati, trupi i të cilit u gjet rreth 40 ditë pas zhdukjes i pajetë.
DËNIMET
Qamil Rexha
Ka kryer veprën penale të “rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit” me pasojë vdekjen, të kryer në bashkëpunim. U dënua me burgim të përjetshëm
Abedin Rexha
Ka kryer akuzën e “rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit” me pasojë vdekjen e personit të kryer në bashkëpunim. U dënua me 25 vjet burg
Ibrahim Geci
Akuzohet për “rrëmbim dhe pengmarrje të personit” dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake”. U dënua me 20 vjet burg