E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodi, 11 deputetë ngujohen në Kuvend

Dy partitë, LSI-ja dhe PDK-ja, vendosin masën ekstreme për grevë urie, një lëvizje kjo qës’mbështetet as nga ndërkombëtarët

TIRANË- Deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe një pjesë e deputetëve demokristianë kanë nisur dje grevën e paralajmëruar të urisë, si masë revolte ndaj ndryshimeve që pritet të miratohen në Kodin Zgjedhor dhe veçanërisht atyre që kanë të bëjnë me përbërjen e komisioneve të administrimit të procesit elektoral në të tre nivelet e tij. Të mbetur të papërfaqësuara në këto komisione si pasojë e këtyre ndryshimeve, këto dy forca politike kanë zgjedhur pikërisht grevën e urisë si masën më ekstreme për të kërkuar të drejtat e tyre të pretenduara. Në këtë mënyrë, deputetët Iliri Meta, Pëllumb Xhufi, Ndre Legisi, Petro Koçi, Nikollaq Neranxi, Spartak Braho, Nard Ndoka, Ndue Shpani, Ymer Tola, Jak Ndokaj dhe Frrok Gjini, prej mbrëmjes së djeshme janë ngujuar në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë. Deputetët në fjalë janë ndër të vetmit në Kuvend, që nuk mbështesin ndryshimet e reja në Kodin Zgjedhor. Kësaj nisme (grevës së urisë), ndryshe nga sa kishte paralajmëruar, nuk i është bashkuar deputeti tjetër firmëtar, Spartak Ngjela.

Greva

Grevën e urisë e ka shpallur dje, gjatë seancës plenare, kreu i LSI-së, Ilir Meta, i cili në një fjalë të shkurtër, pasi ka sjellë në vëmendje të deputetëve të mazhorancës (deputetët e opozitës ishin larguar ndërkohë nga salla në shenjë proteste ndaj incidentit që shkaktoi deputeti Ndriçim Babasi) rrezikun që, sipas tij, i kanoset votave të partive të papërfaqësuara në komisionet zgjedhore, ka deklaruar ngujimin në sallën e Kuvendit. Me thuajse të njëjtin qëndrim, doli dje edhe kreu demokristian Nard Ndoka. Ai ka akuzuar në veçanti, kryeministrin Sali Berisha, si njeriun që po kërkon me çdo kusht që, nëpërmjet përjashtimit të demokristianëve nga komisionet zgjedhore, ta eliminojë PDK-në si një forcë politike

Kërkesat

Kërkesat e deputetëve grevistë lidhen pikërisht me përmbajtjen e Kodit të ri Zgjedhor që, brenda ditës së enjte, pritet të kalojë i gjithi si një draft integral në komisionin e posaçëm të ngritur për këtë qëllim. Kërkesat kryesore të tyre lidhen me përbërjen e KQZ-së, KZAZ-ve dhe KQV-ve, të cilat, sipas kapitujve të miratuar të draft-kodit, nuk do të përbëhen më me nga 9 dhe 13 anëtarë, por secili prej tyre do të ketë 7 anëtarë, sipas një formule të përcaktuar tashmë ku, dy forcat e mëdha do të kenë nga 2 përfaqësues, dhe forcat e dyta të secilit spektër nga 1. Ndërsa anëtari i shtatë, në rastin e KZAZ-ve dhe KQV-ve do të zgjidhet me short midis PS-së dhe PD-së. Por, përmes një formulë e tillë, dy forcat politike në fjalë pretendojnë se janë lënë jashtë komisioneve, ndaj, për të gjetur të drejtat e tyre, ata kanë marrë masën më ekstreme dhe të pambështetur nga asnjë prej forcave të tjera politike, madje as ndërkombëtarët, grevën e urisë. Dy forcat politike kanë paraqitur dhe një sërë amendamentesh, të cilat kanë për synim që të sanksionojnë në Kodin e ri Zgjedhor të njëjtën formulë kompozimi të këtyre komisioneve, siç edhe është në kodin aktual, pra një përbërje të KQZ-së me 9 anëtarë dhe 13 anëtarë komisionet e niveleve të dyta dhe të treta. Por, një kërkesë e tillë, bie në kundërshtim me rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, të cilat në përfundim të zgjedhjeve të 2005 sugjeruan që numri i komisioneve të administrimit të votave të reduktohej. Ndërkohë që, në lidhje me shqetësimin e ngritur nga këto forca për mundësinë e vjedhjes së votës nga dy partitë e mëdha, e ka hedhur poshtë dy ditë më parë, PS-ja, e cila nëpërmjet ekspertit të saj për këto çështje ka bërë të ditur se me ndryshimet e bëra në kod, pra me vendosjen e kamerave të vëzhgimit dhe atashimit pranë çdo komisioni të vëzhguesve, mundësia e vjedhjes së votës minimizohet në maksimum.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›