Avokati i Popullit: Kushtet skandaloze të të arrestuarve
TIRANË – Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve është shkaktare e mbajtjes për një kohë të gjatë të të arrestuarve në dhomat e paraburgimit. Ky është përfundimi i Avokatit të Popullit, pas inspektimit në një numër të madh komisariatesh, që mbajnë nën strehën e tyre persona që e kanë marrë tashmë masën e sigurimit “arrest me burg”. Pavarësisht se këta persona duhej të transferoheshin nga dhomat e izolimit të policisë, ata vazhdojnë të qëndrojnë aty, për një kohë më të gjatë se ç’e parashikon ligji. Sipas një raporti të publikuar dje nga zyra e Avokatit të Popullit, shkak i këtyre mosmarrëveshjeve është bërë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, e cila bëhet pengesë për mostransferimin e tyre.
Institucioni i Avokatit të Popullit ka kryer inspektime në një numër të madh komisariatesh si në Tiranë ashtu edhe jashtë saj, ku konstatimet për shkelje dhe për mosrespektimin e të drejtave të të shoqëruarave janë prezentë në shumicën prej tyre. Në Tiranë, Avokati Popullit ka kryer inspektime në komisariatet e policisë numër 1,2,3 dhe 4. Aty janë konstatuar një numër i madh shkeljesh që prekin drejtpërdrejt interesin dhe shkelin të drejtën e çdo individi të strehuar aty. “Problem shumë shqetësues janë kushtet skandaloze që mbizotërojnë klimën e atyre që jetojnë në këto institucione. Dhomat e sigurisë janë plot lagështirë, ka një mungesë të theksuar ajrimi si edhe nuk sigurohet një ndriçim normal, gjë e cila e bën të vështirë mbijetesën e këtyre individëve”,-thuhet në raport. Këto ambiente, në komisariatet e Tiranës shfaqin edhe problemin e mungesës së hapësirave për të miturit dhe femrat, çka nuk përjashton faktin e shoqërimit në të njëjtat ambiente të të rriturve me të miturit, e cila përbën një shkelje flagrante të ligjit.AP ka konstatuar shkelje edhe në komisariatet e policisë së Kuçovës, Sarandës dhe Rrëshenit. Këto të fundit vuanin nga e njëjta sindromë si shumica e komisariateve në Shqipëri.
Rasti më flagrant gjatë këtij inspektimi është zbuluar në Sarandë, ku shtetasi Saimir Zhemali, i cili kishte marrë një vendim të formës së prerë, vazhdonte që të strehohej në ambientet e komisariatit. Pavarësisht disa shenjave optimizmi të shfaqura në komisariatet e Elbasanit dhe Beratit, ku shihej një gjendje më normale, shumica e komisariateve në Shqipëri nuk plotësojnë asnjë kusht të paraqitur nga BE. Ambientet, sjellja e policisë si edhe pengesat që shfaq shpesh drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, bëjnë që këto institucione të klasifikohen në rang shumë të ulët në krahasim me kërkesat e paraqitura nga institucionet vëzhguese dhe monitoruese në Shqipëri. Këto ambiente nuk plotësojnë standardet e nevojshme për jetesë, e cila lidhet në mënyrë koherente me shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore kushtetuese dhe ligjore të shtetasve. Gjendja e tyre aktuale ka si rrjedhojë, sipas Avokatit të Popullit, uljen e imazhit dhe të prestigjit së Policisë së Shtetit.