Kodi, KQZ-ja përfundimisht me 7 anëtarë
Komisioni i Reformës Zgjedhore ka rrëzuar dje propozimin e LSI-së që KQZ-ja dhe komisionet e tjera të nivelit të dytë të jenë me 9 anëtarë
Komisioni i posaçëm parlamentar i Reformës Zgjedhore ka rrëzuar dje me votë amendamentet e Lëvizjes Socialiste për Integrim për sa i përket përbërjes së institucioneve të administrimit të procesit zgjedhor. Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor dhe komisionet e Qendrave të Votimit do të kenë nga 7 anëtarë, aq sa ishte propozuar edhe nga grupi i ekspertëve që po merren me hartimin e Kodit të ri Elektoral dhe jo nga 9 sa ishin propozuar nga LSI-ja.
Përbërja e KQZ-së
Nënet e miratuara dje nga Komisioni i Reformës Zgjedhore lidhen me kompetencat që do të ketë Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve dhe komisionet e nivelit të dytë dhe ato të qendrave të votimit. Kështu, sipas vendimeve të marra nga ky komision, KQZ-ja megjithëse ka ndryshuar statusin e saj ligjor duke mos qenë më një organ kushtetues, do të vazhdojë të jetë një organ i përbërë ng 7 anëtarë, të cilët do të zgjidhen me një mandat kohor prej 4 vjetësh. Dy anëtarë nga partia më e madhe e mazhorancës dhe dy anëtarë nga partia më e madhe e opozitës. Subjektet propozuese në fazën e përzgjedhjes paraqesin jo më pak se dy kandidatura për secilën vakante. Kryetarët e grupeve parlamentare të subjekteve propozuese përzgjedhin kolegjialisht 4 kandidatura, ku dy prej të cilave duhet të jenë femra. Anëtari i pestë i KQZ-së zgjidhet nga kandidaturat e propozuara nga grupime deputetësh të partive të mazhorancës qeverisëse, përjashtuar partinë më të madhe të këtij spektri. Anëtari i gjashtë zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të opozitës, përjashtuar partinë më të madhe të opozitës. Grupimi propozues paraqet një listë me jo më pak se dy kandidatura për vakancat përkatëse. Kuvendit i paraqitet për votim lista e kandidatëve që ka siguruar numrin më të madh të nënshkrimeve mbështetëse të deputetëve të grupeve respektive parlamentare të mazhorancës dhe opozitës. Votimi për zgjedhjen e anëtarëve të KQZ-së zgjidhet brenda një dite nga Kuvendi. Anëtari i shtatë i KQZ-së dhe njëkohësisht kryetari i saj propozohet nga grupimi parlamentar i partisë më të madhe të mazhorancës, i cili paraqet një listë me jo më pak se katër kandidatura. Grupi parlamentar i partisë më të madhe të opozitës përzgjedh dy prej kandidaturave të paraqitura, të cilat i kalojnë për votim Kuvendit. Kryetari i KQZ-së zgjidhet me shumë të thjeshtë votash. Ndërkohë që, si një mënyrë balancimi politike, opozitës i lihet të zgjedhë nënkryetarin e KQZ-së, i cili zgjidhet nga anëtarët e tjerë të këtij institucioni. Ruajtja e balancës politike synohet të bëhet në vendimmarrje, ku asnjë vendim i KQZ-së nuk do të ketë vlerë ligjore nëse ajo nuk nënshkruhet nga nënkryetari që i përket opozitës. Ndërkohë që përcaktohet edhe mekanizmi i votës së cilësuar ku, për një akt normative, do të quhet i vlefshëm në rast se merr 5 vota pro.
Ndarja e mandateve
Me vetëm votën kundër të LSI-së, Komisioni arriti të kalojë edhe procedurat që do të ndiqen nga grupet e numërimit të votave dhe procedurat lidhur me shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve nga KQZ-ja. Lidhur me ndarjen e mandateve të Kuvendit në rang republike, nëpër secilën zonë zgjedhore, komisioni miratoi dispozitat ligjore përkatëse, ku natyrisht do të merret për bazë numri i popullsisë me të drejtë vote. Për përcaktimin e numrit të votuesve që do t’i korrespondojnë një deputeti, do të pjesëtohet numri i përgjithshëm i popullsisë me numrin 140 të deputetëve. Gjithashtu, komisioni miratoi edhe formulën për ndarjen e mandateve brenda një koalicioni zgjedhor që merr pjesë në zgjedhjet vendore apo të përgjithshme. Njëhohësisht ndarja e mandateve midis subjekteve zgjedhore do të bëhet përmes vendosjes së një pragu, i cili përcakton se, për të fituar të drejtën e mandatit, partitë politike duhet të fitojnë 3% të votave, ndërsa për kualicionet është vendosur pragu prej 5% . Por anëtarët e komisionit nuk kanë rënë dakord për propozimin për favorizimin e kryetarëve të partive politike për të qënë pjesë e disa listave zgjedhore njëkohësisht. Shkak është bërë këmbëngulja e përfaqësuesve të partive të vogla në komision, të cilët kanë kërkuar që formulimi “Kryetari i partisë, i regjistruar në më shumë sesa një listë, e fiton mandatin nëse lista ku ai bën pjesë ka fituar mandat dhe kur kjo listë ka marrë numrin më të madhe të votave ndërmjet listave ku kandidon kryetari”, të ndryshohet me përkufizimin tjetër “kur kjo listë ka marrë numrin më të vogël të votave ndërmjet listave ku kandidon kryetari”. Për shkak të mosmarrëveshjeve, kjo pikë është lënë të diskutohet më vonë.