Ylli Kelmendi dënohet me 2 vjet burg
TIRANË- Gjykata e Tiranës, pas shqyrtimit gjyqësor ndaj të pandehurit Ylli Kelmendi vendosi që në aplikimit të gjykimit të shkurtuar ta dënojë atë me 2 vjet burg për akuzat e “armëmbajtjes pa leje” dhe “kundërshtimit të punonjësit të rendit publik”. Sipas vendimit të togave të zeza, i pandehuri Ylli Kelmendi mbrëmjen e 3 korrikut të këtij viti ka kundërshtuar urdhrin e policisë për kontroll, duke u konfrontuar me një efektiv të policisë, pasi 44- vjeçari Kelmendi nuk ka pranuar që ndaj tij të kryhej kontrolli fizik. Sipas vendimit të gjykatës, i pandehuri ka konsumuar elementë të veprës penale të “armëmbajtjes pa leje” dhe “kundërshtimit të forcave të rendit”, akuza këto të faktuara nga dëshmitë e punonjësve të policisë që kanë asistuar në momentin e arrestimit të tij në rrugën “Xhorxh Bush” në afërsi të Kuvendit të Shqipërisë, ku pas informacioneve që kishte policia në rrugë operative, u kërkua që Kelmendi t’i nënshtrohet kontrollit fizik. Pasi nuk ka pranuar kontroll, duke kundërshtuar urdhrat e efektivëve të policisë, në një moment ai ka shtyrë edhe punonjësin e policisë i cili tentoi t’i afrohet për ta kontrolluar. Kaq ka mjaftuar që grupi i gatshëm i komisariatit numër 1 të mbërrijë në vendngjarje dhe të arrestojë shtetasin Ylli Kelmendi, ku nga kontrolli rezultoi se mbante një pistoletë pa leje. Ylli Kelmendi njihet si dëshmitar në një atentat me armë zjarri në vitin 2003 në periferi të Tiranës, ku mbetën të vrarë disa persona, mes tyre edhe miku i tij,Fatmir Rama, i njohur si “Miri i Xhikes”. Vetë Kelmendi mbeti i plagosur nga ky atentat.