E Diel, 1 Nëntor 2026

Porto-Romano, 12 hektarë tokë të Fazlliç nën sekuestro

Prokuroria e Tiranës zbulon se tokat në fshatin “Rinia” janë blerë për 50 euro m2. Vlera e tyre e deklaruar, 600 mijë euro

TIRANË- Prokuroria e Tiranës identifikoi dhe sekuestroi dy pronat që figurojnë në emër të mikut të kryeministrit Sali Berisha, serbo-boshnjakut Damir Fazliç, në Durrës. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë njësisë së Task-Forcës, të cilët këtu e 30 ditë më parë, regjistruan procedimin penal kundër Fazlliç, pas dyshimeve për pastrimin e parave. Nga hetimet e kryera dhe verifikimi i pasurive të regjistruara në zyrat e Hipotekës në Shqipëri, ka rezultuar se vetëm në Porto-Romano të Durrësit, serbo-boshnjaku Damir Fazlliç ka dy prona, me një sipërfaqe rreth 12 hektarë tokë. “Këto dy prona që figurojnë të regjistruara në Hipotekën e Durrësit nën emrin e shtetasit nën hetim, Damir Fazlliç, dhe shoqërive që ai drejton, ndodhen ngjitur me njëra-tjetrën në vendin e njohur në atë zonë si fshati Rinia në Porto Romano. Të dy këto prona janë verifikuar në zyrat e Hipotekës dhe rezulton se kanë një sipërfaqe prej rreth 12 hektarë tokë, e cila është blerë prej fshatarëve të zonës, të cilët e kanë përfituar këtë truall nga ligji 7501”,-pohuan dje burime nga grupi hetimor.

Nga hetimet dhe verifikimet e kryera që nga 7 tetori, ditën kur kanë filluar hetimet për serbo-boshnjakun Fazlliç, ka rezultuar se këto prona janë blerë fillimisht nga fshatarët e zonës me një çmim qesharak prej 50 euro për metër katror. Blerjet masive në zonë kanë rritur çmimin, ndërsa e gjithë kjo sipërfaqe është deklaruar sikur është blerë për 600 mijë euro. Sipas prokurorisë, shitja e tokës nga fshatarët ka ardhur pasi përfaqësuesit e serbo-boshnjakut Fazlliç i kishin bindur ata se toka e tyre nuk shërbente për asgjë, pasi është e helmuar nga mbetjet toksike. Tashmë, pronat nën emrin e serbo-boshnjakut janë ngrirë me vendim të prokurorit të Rrethit, Genti Xholi, i cili i ka bllokuar këto prona deri në përfundim të hetimeve ndaj shtetasit serbo-boshnjak Damir Fazlliç.

Nga ana tjetër, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në kryeqytet nuk ka kthyer ende përgjigje pranë prokurorisë, e cila ka kërkuar verifikimin dhe ngrirjen e pasurisë që rezulton e regjistruar në emër të shtetasit Damir Fazlliç apo kompanive që ai drejton në Shqipëri. Burimet e mësipërmesaktësuan se në ditët e ardhshme, prokurorët e çështjes do të dërgojnë nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë një letër-porosi në Bosnje, me anën e së cilës do të kërkojnë të dhëna për Fazlliçin. Kjo letër-porosi do të konsistojë në verifikimin e personit të tij, nëse ka qenë proceduar penalisht apo ndiqet në shtetin boshnjak për ndonjë vepër penale si dhe verifikimin e llogarive të tij bankare në atë shtet dhe transfertat e mundshme drejt Shqipërisë apo anasjelltas. Deri më tani konfirmohet se janë bllokuar të gjitha llogaritë bankare që rezultojnë të hapura në filialet e bankave në Shqipëri, nën emrin e personit nën hetim për pastrim parash, Damir Fazlliç dhe shoqërive ku ai është aksioner, drejtor apo edhe anëtar i këshillit mbikëqyrës. Sipas prokurorisë, serbo-boshnjaku Fazlliç, në janar të viti 2005 ka regjistruar një shoqëri me emrin “Crown Acquisitions” sh.p.k, e cila më pas dyshohet se është shitur fiktivisht. Me anë të kësaj kompanie, Fazlliç ka blerë 12 hektarë tokë në “Fshatin Rinia” të Porto Romanos në Durrës, e pas këtyre blerjeve, kompania rezulton ligjërisht e shitur tek shoqëria e shtetasit Fazlliç në Qipro, “Altaria Research Limited” me 1 milion e 750 mijë euro, shitje kjo e kryer më 20 qershor të 2007, ku më pas në zyrat e Hipotekës është regjistruar blerja e kësaj toke më 1 gusht 2007 në Porto Romano.

Avokati Genc Gjokutaj tërheq kërkesë-padinë për riformulim

Avokati i Fazlliç:Të hiqen sekuestrimet e pronave

TIRANË- Damir Fazlliç kërkon nga Gjykata e Shkallës së Parë heqjen e sekuestros së vendosur nga prokuroria mbi pasuritë dhe llogaritë bankare në emër të tij. Gjatë seancës së parë gjyqësore, avokati mbrojtës i personit nën hetim, Damir Fazlliç, kërkoi nga Gjykata të lirojë nga sekuestrimit llogaritë bankare të klientit të tij, duke akuzuar prokurorinë për veprime të nxituara në lidhje me bllokimin e këtyre llogarive bankare. “Prokuroria me veprimet e saj të nxituara ka bllokuar llogaritë bankare të klientit tim në Shqipëri si dhe llogaritë e shoqërive ku shtetasi Damir Fazliç është bashkëpronar, pronar apo edhe anëtar i Këshillit Mbikëqyrës tek disa kompani. Gjithashtu, kërkoj të tërheq kërkesë -padinë për riformulim, pasi këto tre ditët e fundit jam njohur me dy vendime të tjera të prokurorisë, të cilët kanë sekuestruar dy prona të klientit që unë mbroj”-ka thënë avokati Genc Gjokutaj, duke kërkuar bashkimin e padisë që ka paraqitur biznesmeni Erion Isufaj, e cila ka objekt të njëjtë dhe që ka nisur të shqyrtohet nga një tjetër gjyqtar në Tiranë. Gjyqtari Artan Broci gjatë fjalës së tij i kërkoi avokatit Gjokutaj të paraqesë në seancën e radhës edhe prokurën e shoqërive të cilat kërkojnë heqjen e sekuestros, pasi ai është autorizuar vetëm nga shtetasi Damir Fazlliç. Pas këtyre parashtrimeve dhe kërkesave, gjyqtari Broci vendosi të ndërpresë seancën gjyqësore dhe ta shtyjë atë për javën tjetër, për t’i dhënë kohë mbrojtjes të riformulojë kërkesë -padinë. Menjëherë pas fillimit të procedimit penal ndaj shtetasit Damir Fazliç, prokuroria kërkoi nga bankat dhe Hipotekat bllokimin e llogarive bankare që ndodhen të regjistruara në emrin e mikut të kryeministrit Sali Berisha dhe kompanive që ai drejton, të cilat pas verifikimit janë ngrirë deri në një vendim tjetër.

ROMPETROL

Parku Energjitik, Fazlliç zotëron 40 % të aksioneve

TIRANË- Në janar të vitit 2005, “Rompetrol Group” rezulton të ketë blerë disa hektarë tokë në Porto Romano për të ndërtuar një impiant gjigant të depozitimit të naftës. Në kohën që Lulzim Basha ishte ministër i Transporteve, kunati i tij administronte kompaninë “ Croën Acquisitions” të Damir Fazlliçit. Siç rezulton në dokumentet hipotekore, Fazlliç ka blerë disa hektarë tokë në Porto Romano në emër të kompanisë “Croën Acquisitions”, edhe pse kjo kompani rezulton ligjërisht e shitur tek“Altaria Research Limited” , që Fazlliç deklaroi që është kompani e tij në Qipro. Administratore e kompanisë qipriote është avokatja Flutura Kola, bashkëpronare në studio me Argita Berishën.Por nga dokumentet rezulton se kjo nuk është pasuria e vetme e Damir Fazlliçit në Porto Romano. Kompania “Kelena LTD”e cila përfaqësohet nga Damir Fazlliç, si aksionere 40 për qind e “Rompetrol-it” që në janar të vitit 2005 ka blerë sipërfaqe të konsiderueshme tokash në zonën e kontaminuar. Pra nga ajo sa rezultonnë Porto Romano deri tani kemi dy kompani që janë të njëjtët njerëz, “Croën Acquisitions”, me pronar “Altaria Research Limited” dhe “Rompetrol Albania” sh. a., me ortak “Kelena LTD” dhe “Rompetrol Grup NV”. Në të dyja rastet i përfshirë është Fazlliç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›