E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nënën e vrava për lekët e heroinës

Alken Birko, 35-vjeçari që vrau nënën e tij rrëfen krimin. Policia: Dhoma e vdekjes ishte e mbuluar nga gjaku

Rrëfimi në polici i Alken Birkos: E godita 10 herë me thikë, pasi hëngra darkën që më kishte shtruar

TIRANË- “Nuk më dha lekë për dozën e heroinës, ndaj e vrava. Por jam penduar”. Para oficerëve të policisë kriminale, 35-vjeçari Alken Birko ka rrëfyer motivin e vrasjes së nënës së tij, që ndodhi dy ditë më parë në banesën e tyre pranë Medresesë në Tiranë. Burime nga policia thanë për “Shekullin” se pas vetëdorëzimit në polici, Birko ka pranuar se kishte vrarë nënën e tij, Shpresa Birko, duke treguar edhe shkakun. “Veç faktit që drogohej ai shfaqte edhe shenja të çrregullimeve psikike. Birko u mor në pyetje për disa orë me radhë, ku tregoi se e kishte goditur nënën e tij 10 herë me thikë, pesë herë në pjesën e barkut dhe pasi ajo kishte rënë në dysheme, ai kishte vazhduar ta godiste”,- pohuan dje zyrtarë të policisë së kryeqytetit.

Pasditen e së martës, Alken Birko është kthyer në banesën e tij ku jeton vetëm me nënën 60-vjeçare. Sapo ka mbërritur djali në shtëpi, Shpresa Birko i ka shtruar bukën. Pasi ka ngrënë darkën, 35-vjeçari i ka thënë nënës se i duheshin para. “Ajo më shtroi darkën, pasi kisha disa orë që kisha dalë nga shtëpia dhe e dinte që më kishte marrë uria. Pasi hëngra bukë, i thashë nënës të më jepte 30 mijë lekë të vjetra. Në fillim ajo hezitoi të m’i jepte dhe i tregova se më duheshin urgjent për të blerë dozën. Kështu i tregova edhe për çfarë më duheshin paratë. Por ajo më tha: të kam mbajtur me lekë, por tani nuk të jap më sepse nuk kam dhe nuk di ku t’i gjej. Në atë moment debatuam dhe unë shkova në guzhinë mora një thikë dhe e vrava”, -ka treguar para oficerëve të policisë kriminale Alken Birko. Burime nga policia thanë se Shpresa Birko debatoi me djalin e saj, po nuk e kishte menduar se ai do ta vriste. 35-vjeçari nuk i ka lënë kohë nënës së tij të thotë fjalën e fundit, pasi me shpejtësi është kthyer nga kuzhina për në dhomë ku ndodhej ajo dhe e ka goditur në befasi. Ai është larguar prej saj, pasi e kishte goditur 10 herë me thikë.

Pasi masakroi nënën, Alken Birko u pastrua, ndërroi veshjen dhe më pas lajmëroi policinë. “Kur mbërritëm në banesën e familjes Birko, u përballëm me një skenë horror. E gjithë dhoma dhe muret ishin me gjak. Ai e kishte goditur shumë herë nënën e tij dhe ajo nga përpëlitjet, kishte gjakosur një pjesë të mirë të dhomës”, -thanë për “Shekullin” burime nga policia. Sipas policisë, çdo veprim pas krimit i 35-vjeçarit është kryer qetësisht prej tij, por kur është përballur më pas me oficerët e policisë, herë pas here shfaqte shenja tronditjeje. Policia ka marrë në pyetje edhe të afërm të viktimës, të cilët ishin në dijeni të situatës së rëndë në marrëdhëniet nënë e bir. “Shpresa na kishte treguar se i biri i kërkonte para dhe shpesh herë ushtronte dhunë mbi të, por nuk mendonte se do t’i vinte ndonjë e keqe nga Alkeni”,-i kanë thënë ata policisë. Në pamundësi për t’i dhënë para, 60-vjeçarja përballonte dhunën e të birit deri sa të gjente paratë E ndërsa dy net më parë, kur iu kthye të birit se nuk kishte për t’i dhënë më para, erdhi dhe fundi i jetës së saj.

VIKTIMA

Nëna e vrarë, një jetë në shërbim të të birit

Shpresa Birko ishte divorcuar nga bashkëshorti i saj rreth 25 vite më parë, kur Alkeni ishte ende fëmijë. Ajo nuk u martua kurrë për t’ia kushtuar jetën djalit të saj të vetëm. 60-vjeçarja kishte punuar në KESH dhe prej disa vitesh kishte dalë në pension. Ndërsa ishte përpjekur t’i jepte edhe një shkollë të lartë djalit të saj, i cili vitet e fundit krijoi varësi totale nga droga, si dhe shfaqte shenja të një sëmundjeje psikike. Viktima u kishte thënë disa herë të afërmve se i biri ishte agresiv, e madje edhe se e kishte rrahur, por nuk mendonte se nga ai mund t’i vinte vdekja. Mësohet se pas ekzaminimeve në morgun e Tiranës, trupi i pa jetë i Shpresa Birkos iu dorëzua motrës së saj, e cila organizoi dhe ceremoninë mortore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›