Formulari për shoqëritë e ndërtimit që aplikojnë për licencë
Laureta Rryçi
Për të marrë licencë për herë të parë për shoqëri ndërtimi duhet të kryesh një sërë procedurash në Ministrinë e Transportit. Gazeta “Albania” zbardh në numrin e sotëm, formulari që duhet të plotësohet në të tilla raste dhe dosja me dokumentet në mënyrë që të keni më shumë mundësi që të mos u refuzohet kërkesa për marrjen e licencës. Drejtuesi i shoqërisë që kërkon të marrë licencën për herë të parë duhet të deklarojë se angazhohet të njohë e të zbatojë në veprimtarinë e shoqërisë KTZ, STASH dhe të gjitha ligjet në fuqi në fushën e ndërtimit si dhe të dërgojë informacion periodik për veprimtarinë e shoqërisë. Në të njëjtën kohë në formularin që plotëson nën shkruan se është në dijeni të të gjitha pasojave që mund të ketë si rezultat i deklarimeve të rreme apo paraqitjes se dokumenteve të pavërteta në momentin që i kërkon dikasterit të transporteve për të marrë këtë lloj licence për aktivitetin privat që do të kryejë. Në formular bëhen edhe dy vetëdeklarime. E gjithë dosja dorëzohet në Ministrinë e Transportit për të qëndruar në pritje për një afat të shkurtër kohor derisa specialistët e këtij dikasteri marrin në shqyrtim dokumentacionin e dorëzuar.
Dokumentacioni
Për pajisje me licencë shoqërie për herë të parë duhet kërkesa e shoqërisë për pajisje me licencë sipas formularit. Kërkesës i bashkëlidhet dhe dokumentacioni i mëposhtëm provues: Kopje e njësuar e vendimit të regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit/gjykatë dhe (Aktit të Themelimit + Status). Kopje e njësuar e diplomës së drejtuesit apo drejtuesve teknik të shoqërisë. Kur drejtuesi teknik është diplomuar me mesatare note nga 9:0 e lartë ose ekuivalent dhe kërkon të vendoset si drejtues teknik 3 vjet nga diplomimi kopje e njësuar e listës së notave.
Dokumentacion teknik justifikues (origjinal ose i njësuar) për veprimtarinë e kryer nga drejtuesi teknik, vërtetime nga subjekte, institucione apo organizma publik ose privat. Kur vërtetimi lëshohet nga institucion privat bashkëshoqërohet dhe me vërtetim të subjektit publik që konfirmon faktin. Duhet edhe kontrata midis drejtuesit ligjor dhe drejtuesit teknik.
Vetëdeklarim i drejtuesve ligjor nëse është në hetim apo procedim penal me cilësinë e të pandehurit për vepra penale që kanë lidhje me ushtrimin e detyrës. (sipas formatit të lidhjes nr.7/1)
Vetëdeklarim i drejtuesit/ve teknik nëse është në hetim apo procedim penal me cilësinë e të pandehurit për vepra penale që kanë lidhje me ushtrimin e detyrës apo ka qenë i dënuar, si dhe për gjendjen në lidhje me punëmarrje të tjera.
Licenca
Licenca jepet apo merret me anë të një komisioni të posaçëm që ngrihet për këtë çështje. Ai është dokumenti juridik dhe profesional, që i jep të drejtë disponuesit të saj të ushtrojë një veprimtari të caktuar. Aplikimi për licencë dhe dokumentet shoqëruese të saj dërgohen me postë në adresë të komisionit. Dokumentacioni duhet të jetë origjinal ose i njesuar me origjinalin. Në aplikim shënohet dhe adresa e saktë për komunikim mes subjektit dhe komisionit. Shoqëritë e huaja që aplikojnë për licencim njehsojnë licencën që disponojnë nga vendi i origjinës, duke zbatuar të njëjtat procedura për kategorizimin dhe klasifikimin si dhe shoqëritë shqiptare. Për të vlerësuar aftësinë e mjaftueshme profesionale, financiare dhe kapacitetin profesional të drejtuesit teknik të shoqërisë, gjykohet mbi dokumentacionin e plotësuar nga aplikuesi, sipas procedurave dhe kritereve të përcaktuara në këtë rregullore. Veprimtaria fiksohet sipas kategorive të punimeve të zbatimit, duke u mbështetur në profilin e diplomës universitare të individëve që punësohen në rolin e drejtuesit teknik të shoqërisë, gjithashtu duke u mbështetur në klasifikimin e kategorive të përfituara duke u bazuar në tre elemente: vlerën e punëve të ngjashme të kryera në katër vitet e fundit, përvojën në punë të individëve që punësohen në rolin e drejtuesit teknik të shoqërisë dhe kapacitetet financiare.
Elementet që përmban një licencë
Elementet që përmban një licencë janë: kategoritë e punimeve të ndërtimit, klasifikim në nivele për çdo kategori, numri i identifikimit, data e regjistrimit në regjistrin themeltar, emrat e drejtuesve ligjorë dhe teknikë, selia, afati i vlefshmërisë, elementet e sigurisë të përcaktuar me urdhër të ministrit, si dhe të dhënat e plota të kategorive dhe klasifikimit. Licencat e shoqërive jepen me afat të njëjtë me atë për të cilin janë regjistruar për të ushtruar aktivitetin në QKR apo gjykatë. Ndalohet ushtrimi i veprimtarisë zbatuese në ndërtim në mungesë të drejtuesve teknikë të shoqërisë. Ndërkaq, shoqëritë e licencuara jo më vonë se 10 ditë kalenderike, kur drejtuesi teknik është dorëhequr ose ka pamundësi fizike për ushtrimin e detyrës, kanë detyrim të paraqesin njoftim së bashku me kërkesën për drejtuesin e ri teknik.
24 Qershor 2010