PS-PD, debate të ashpra në Këshill për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit
Deputetët e PD-së dhe ata të PS-së kanë debatuar ashpër gjatë mbledhjes së pestë të Këshillit për Rregulloren dhe Mandatet, ku është diskutuar për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit. Sipas procesverbalit të kësaj mbledhjeje, që është zhvilluar me dyer të mbyllura, deputetët e shumicës thonë se votimi i hapur do t’i shërbejnë transparencës, kurse deputetët e opozitës thonë se kjo është një mënyrë për të kontrolluar politikisht votën e deputetëve, nisur edhe nga votimi i fundit për Vangjel Kostën, ku me votim të fshehtë rezultuan disa vota në favor të tij e ku në një tjetër votim të ardhshëm, bashkimi i tyre me ato të opozitës mund të përmbysë vullnetin e maxhorancës. “Ju mund të keni arsyet tuaja, se nuk kontrolloni dot politikisht votat e maxhorancës, por askund, si rezultat i këtij moskontrolli, nuk gjendet një artific për të imponuar këtë kontroll, aq më tepër kur kjo jep rezultate që, nga moskontrolli i votave të një subjekti apo të një grupi politik, të kalojë në kontrollin politik dhe partiak të institucioneve kushtetuese”, - është shprehur në mbledhje kreu i grupit kuvendor socialist, Gramoz Ruçi. Pas kësaj fjalën e mori deputeti demokrat Ilir Rusmali, kryetar i Komisionit të Ligjeve. Ai bëri një apologji të gjatë të votimit të hapur. “Zonja kryetare, nuk ka asnjë lloj ndarjeje midis votimit të fshehtë dhe votimit të hapur nga pikëpamja e Kushtetutës. Votimi i hapur në rastin e dekreteve konkrete të Presidentit të Republikës është një akt i fortë përgjegjshmërie, që ne duhet ta kishim realizuar edhe kohë më parë”, - është shprehur Rusmali.
Ish-kryeministri Pandeli Majko, që e mori fjalën më pas, argumentoi se nuk mund të ndryshohen rregullat e lojës kur loja ka filluar. “Rregullat nuk ndryshohen asnjëherë kur procesi ka filluar, e para. E dyta, rregullorja është ndryshuar me konsensus. Mendoj se është edhe në favor të një klime të caktuar politike që ne po përpiqemi aq sa mundemi të ndërtojmë, se ne nuk duhet të orientohemi në ndryshimin e Rregullores tani për këtë çështje”, - është shprehur Majko.
Propozimi i shumicës është që votimi të bëhet nominal, pra që kryetarja e Kuvendit të thërrasë një për një secilin prej deputetëve, i cili do të deklarojë votën e tij pro ose kundër. Por për këtë duhet të shprehet më parë Kuvendi dhe ndryshimet e Rregullores, pritet të kalojnë në seancë plenare.
24 Qershor 2010